Mbrëmjen e djeshme, banorët e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 5”, kishin për të treguar një histori të vështirë nga jeta e tyre personale.
Kur i erdhi radha Shëndritit, ai shpërtheu në lot kur kujtoi periudhën më të errët të jetës së tij. Banori i BBV 5 tregoi se ka qenë bullizuar kur ka qenë në fillore, madje ditën e ditëlindjes e kanë futur në një garazh makinash së bashku me një qen që e ka kafshuar.
Rrëfimi i Shëndritit:
Unë kam qenë shumë i bullizuar, kam kaluar periudha të shumta të bullizmit, tortura. Kur isha në ‘shpellë’ mu kujtua një ngjarje. Është hera e parë që e fola një ditë me Brikenën, nuk kam fol kurrë, po më vjen keq se prindërit e mi tani po e dëgjojnë. Në momentin që u fikeshin dritat në ‘shpellë’ më dilte përpara një situatë kur e kam përjetuar ditën e ditëlindjes sime.
Kam qenë në shkollë fillore dhe ditën e ditëlindjes duke u kthyer prej shkollës, dhuratë për ditëlindje prej shoqërisë bullizuese, njerëzve, djemve, më mbyllin në një garazh makinash. Brenda fusin një qen që më kafshon, kam akoma shenjën që sa herë e shoh ma kujton. Nuk e di si kam dalë, forca e Zotit ndoshta. Kam vrapuar në shtëpi, ishte ditëlindja dhe normalisht nuk doja me prish atmosferën në shtëpi dhe nuk u tregova. Kam kaluar shumë gjëra të tilla, nuk dua të flas shumë detaje.
Transformimi im në jetë është fitorja ndaj bullizmit, edhe uroj që të gjithë ata e gjejnë forcën, e tejkalojnë, dhe e mundin dhe nuk iu del dikush përpara që mundet me i mund, ose me u ndalë ëndrrën ose me iu fik dritën.

