Sot, në varrezat e Rimanishtës, u varros me nderime ushtarake dhe me pjesëmarrje të lartë qytetare Jahja Mustafa, babai i Sali Mustafës – Calit.
Në emër të familjes dhe shokëve, veprimtari Valon Murati mbajti fjalimin përshëndetës.
“Jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit një njeriu të dashur, një familjari të mirë, një babai të përkushtuar, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij, duke qenë se e gjithë familja – në krye me Calin tonë të dashur – ka qenë e angazhuar në veprimtarinë patriotike, natyrisht që ka qenë edhe vetë i përfshirë. Shtëpia e tij ka qenë një prej bazave më të rëndësishme në Prishtinë.
Kur humbim një njeri të dashur, humbim diçka edhe nga vetja jonë. Ne varrosim edhe një pjesë të vetes sonë.

Pamje nga ceremonia e varrimit
Dhimbja është e madhe, por sot ajo është e trefishtë. Është e trefishtë sepse po humbim bacën Jah, një njeri të dashur, i cili ka dhënë kontribut dhe shtëpia e të cilit ka qenë shtëpi e madhe e lirisë së Kosovës. Por po ndjejmë dhimbje edhe sepse Cali nuk është këtu. Nuk e kemi djalin e tij, shokun tonë të dashur, një nga njerëzit më kontribuues për lirinë që e gëzojmë sot.
Dhimbja është edhe më e madhe sepse ai nuk është këtu për shkak të një padrejtësie të madhe që po na shkaktohet. Një padrejtësi që e bën dhimbjen edhe më të rëndë. Cali nuk është këtu sepse është dënuar në mënyrë të padrejtë, fatkeqësisht nga një gjykatë e padrejtë, e cila flet në emrin tonë, por nuk vepron në emrin tonë.
Ai nuk është këtu edhe pse është dënuar padrejtësisht. Me asnjë rregull dhe me asnjë parim ndërkombëtar nuk do të duhej t’i ndalohej të vinte dhe ta shihte babanë e tij në shtratin e vdekjes. Po ashtu, nuk do të duhej të ndalohej që të ishte sot këtu, në këtë ditë të fundit, dhe të ndahej me babanë e tij me dinjitet”.

