Aktuale

‘Më rrezikohet jeta’! Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve merr vendimin për kërkesën e Durim Bamit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pranuar kërkesën e Durim Bamit për transferimin e tij nga paraburgimi i Burgut 313 drejt institucionit penitenciar në Fushë-Krujë.

Kërkesa ishte paraqitur disa javë më parë, por është miratuar së fundmi nga drejtori i ri i burgjeve, Adriatik Kupi, pas një refuzimi të mëparshëm nga ish-drejtori Klevis Qose.

Sipas burimeve, Bami kërkoi transferimin menjëherë pas ekstradimit të tij nga Dubai, duke pretenduar se jeta e tij ishte në rrezik në disa institucione të tjera të vuajtjes së dënimit, përfshirë burgun në Tiranë, si dhe ato në Peqin dhe Shkodër.

Në kërkesë, burgu i Fushë-Krujës është konsideruar si një alternativë më e sigurt. Ndërkohë, avokati i tij, Ilir Murati, ka deklaruar se klienti i tij përballet me probleme shëndetësore dhe kushte të papërshtatshme, si dhe me stres të vazhdueshëm për shkak të pranisë së personave të konsideruar të rrezikshëm.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj Bamit masën e sigurisë “arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për disa vepra penale, përfshirë pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes dhe kultivim të lëndëve narkotike.

Sipas hetimeve, ai dyshohet për përfshirje në plane kriminale ndaj disa personave, mes tyre ish-deputeti Arben Ndoka, si dhe për lidhje me grupe kriminale aktive në vend. Në dosje përmendet edhe emri i Ervis Martinaj, i cili dyshohet se kishte ofruar shpërblim për eliminimin e tij.

Autoritetet gjithashtu pretendojnë se Bami ka drejtuar dhe financuar një aktivitet të kultivimit të kanabisit në zonat e Niklës dhe Bubqit gjatë viteve 2019–2020, me mbështetjen e bashkëpunëtorëve, përfshirë edhe ish-efektivë të strukturave të sigurisë.

Të Ngjashme