
Një zjarr në një qendër tregtare të sapohapur në provincën Wasit të Irakut lindor vrau më shumë se 60 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët irakianë të enjten.
Ministria e Brendshme e Irakut tha në një deklaratë se 61 persona vdiqën, në zjarrin që shpërtheu të mërkurën vonë në qytetin Kut, transmeton AP.
Midis të vdekurve ishin 14 trupa të djegur që mbeten të paidentifikuar, tha ajo.
Ekipet e mbrojtjes civile arritën të shpëtonin më shumë se 45 persona që ishin bllokuar brenda ndërtesës, thuhet në deklaratë.
Qendra tregtare, e cila ishte hapur vetëm një javë më parë, ndodhej në një ndërtesë pesëkatëshe që përmbante edhe një restorant dhe një supermarket.
Agjencia shtetërore irakiane e lajmeve raportoi se ka ende njerëz të zhdukur. Fotografitë dhe videot në mediat lokale treguan ndërtesën të përfshirë plotësisht nga flakët.
Guvernatori i provincës, Mohammed al-Mayyeh në një deklaratë shpalli tre ditë zie. Ai tha se shkaku i zjarrit është nën hetim, por se janë ngritur padi ligjore kundër pronarit të ndërtesës dhe pronarit të qendrës tregtare.
Ai nuk specifikoi se cilat ishin akuzat, por tha se rezultatet e hetimit paraprak do të publikohen brenda 48 orëve.