Dy televizione izraelite raportuan se një foto që pretendohet se tregon trupin e pajetë të Udhëheqësit Suprem iranian, Ali Khamenei, i është paraqitur kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas të njëjtave burime, Khamenei dyshohet se u vra gjatë një sulmi izraelit të ndërmarrë paraditen e sotme ndaj kompleksit të tij rezidencial. Deri më tani nuk ka konfirmim të pavarur për këtë pretendim.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaei Baghaei, deklaroi se nuk ka asnjë koment lidhur me këto raportime.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cituar nga agjencia Reuters, tha se presidenti Trump “nuk kishte zgjidhje tjetër” përveçse të urdhëronte sulmin ndaj Iranit. Sipas tij, Uashingtoni e konsideroi të domosdoshëm veprimin ushtarak për shkak të mungesës së “seriozitetit” nga pala iraniane në negociata.
Burimi theksoi se negociatorët amerikanë arritën në përfundimin se Irani synonte të ruante kapacitetin për pasurimin e uraniumit, me qëllim zhvillimin e mundshëm të një programi armësh në të ardhmen. “SHBA i ofroi Iranit furnizim falas me karburant bërthamor për qëllime civile, por Teherani këmbënguli në ruajtjen e kapacitetit të pasurimit”, deklaroi zyrtari.
Sipas të njëjtit burim, Irani refuzoi gjithashtu të negociojë për programin e raketave balistike dhe për mbështetjen ndaj grupeve të armatosura në rajon. Administrata amerikane pretendon se kishte informacione të inteligjencës që tregonin se Teherani po rindërtonte kapacitetet e dëmtuara nga sulmet e muajit qershor.
