Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mediet maqedonase sulmojnë Kim Mehmetin pas deklaratave të tij për “elitat maqedonase”

Disa media në gjuhën maqedonase i kanë reaguar ashpër shkrimtarit dhe publicistit të njohur shqiptar, Kim Mehmeti, pas një deklarate të tij ku ai shprehet kritik ndaj strukturës etnike dhe politike të elitave në Maqedoninë e Veriut.

Në një analizë të publikuar së fundmi, Mehmeti shkruan se: “Elitat maqedonase kryesisht janë të përbëra nga bullgarë e shqiptarë ortodoksë të serbizuar”, deklaratë kjo që ka shkaktuar reagime të forta në disa qarqe mediatike dhe politike maqedonase.


Reklamë

Sipas mediave maqedonase, fjalët e Mehmetit përbëjnë një “fjalor urrejtjeje dhe nënçmimi” ndaj popullit maqedonas dhe cenojnë bashkëjetesën ndëretnike në vend. Disa prej tyre e kanë akuzuar shkrimtarin për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes dhe përpjekje për të delegjitimuar identitetin kombëtar maqedonas. Dhe kjo ka nxitur një varg reagimesh ku kërkohet ndëshkimi i Mehmetit për këto deklarata të tij.

Ndryshe, në analizën e tij, Mehmeti e përshkruan Maqedoninë e Veriut si një shtet të paqartësive dhe kontradiktave, ku sipas tij mungon një ndjenjë e vërtetë e bashkëjetesës dhe ku gënjeshtra është bërë pjesë e kulturës politike dhe shoqërore.

Ai shpreh kritika të forta edhe ndaj politikanëve shqiptarë në vend, të cilët i cilëson ose si “idiotë që nuk kuptojnë”, ose si “qyqarë që kanë frikë ta thonë të vërtetën”. Mehmeti thekson se shumë prej elitave politike maqedonase mohojnë origjinën e tyre etnike dhe përpiqen ta maskojnë këtë duke ushqyer urrejtje ndaj shqiptarëve dhe bullgarëve.

Reagimet ndaj shkrimit të Mehmetit kanë hapur sërish debatin për kufijtë e lirisë së shprehjes në një shoqëri multietnike si ajo e Maqedonisë së Veriut, ku tensionet ndëretnike ende nuk janë shuar plotësisht.

Kim Mehmeti, i njohur për stilin e tij kritik dhe për shkrimet që trajtojnë realitetin politik dhe shoqëror të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nuk ka reaguar ende publikisht ndaj akuzave të mediave maqedonase.