Lajme

Mes deklaratës së Abdixhikut dhe sinjaleve të forta – A po vuloset mandati i dytë i Osmanit?

Gjatë ditë së djeshme, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, deklaroi se partia e tij nuk ka ende kandidat për president pa një marrëveshje politike:

“Nëse nuk kemi pasur marrëveshje politike, s’ka as kandidatë. Kandidati për president bëhet me konsensus, kështu ka qenë historia politike e Kosovës. S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte as vullnet për konsensus”, tha Abdixhiku.

I pyetur nëse LDK do të mbështesë presidenten aktuale Vjosa Osmanin.

“Neve nuk na është propozuar asnëj emër për t’i kërkuar votat tona, në këtë fazë nuk kemi qëendrime refuzuese ndaj aakujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani”, tha ai.

Kjo deklaratë e fundit e Abdixhikut nxiti reagime të mëdha dhe u cilësua si një mbështetje e hapur për presidenten Osmani.

Mirëpo, për të folur më gjatë për këtë deklaratë të kreut të LDK-së, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Sipas tij, kjo tregon qartë se Kurti e Abdixhiku kanë arritur pajtueshmëri për Osmanin si kandidate edhe për një mandat.

Image
Gani Qarri.

“Derisa vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por LVV, as ditët e fundit, nuk ka dalë me kandidat të veçantë nga radhët e veta, ndërsa partneri i saj qeverisës lista “GUXO” është deklaruar me kohë se mbështet kandidaturën e zonjës dr. Vjosa Osmani, besojë se tanimë, është arritur marrëveshje konkrete që dr. Vjosa Osmani të jetë përzgjedhur si figurë e përbashkët konsensuale e partisë “GUXO” dhe LVV-së, madje deklarata e Abdixhikut se LDK-ja nuk dëshiron të pengojë stabilitetin dhe se si parti nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani, flet qartë se Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, kanë arritur pajtueshmërinë për votimin e zonjës dr. Vjosa Osmani për presidente të Republikës edhe në mandatin vijues”.

Krahas kësaj, Qarri e vlerësoi lartë punën e Osmanit në krye të Presidencës së Kosovës dhe rrjedhimisht për këtë e mirëpriti edhe deklaratën e Abdixhikut.

Për këtë, ai konsideron që, Kurti dhe Abdixhiku, kësaj radhedo ta shpëtojnë vendin nga mbajtja edhe e një palë zgjedhjeve.

“Përfaqësimi dinjitoz i vendit dhe veprimtaria e suksesshme diplomatike e presidentes aktuale, dr. Vjosa Osmani, janë bonusë i veçantë dhe plus i madh për kandidaturën e saj, ndaj vendimi bashkëpunues i Abdixhikut, është shumë i drejtë dhe i mirëseardhur, cili në mënyrë automatike mënjanon edhe ngërçin e mundshëm politik, bllokadat e njohura kundërinstitucionale apo edhe përsëritjen eventuale të ndonjë krize të re, që nuk do të ishte e mirë për asnjë parti.

Duke zgjidh problemin e presidentes/it të shtetit, në afatin e paraparë kushtetues, Kurti dhe Abdixhiku, si kundërshtar të papajtueshëm deri dje, kësaj radhe shpëtojnë bashkërisht edhe vendin, pa e quar në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme me të cilat janë lodhur dhe mbingarkuar shumë edhe qytetarët e Kosovës”, deklaroi ai.

Më tej, analisti bazuar në takimet Kurti-Abdixhiku dhe deklaratat e tyre, vlerëson se, procesi i zgjidhjes së presidentit duket të jetë në përfundim.

Ai është i bindur se Osmani do të vijojë edhe për një mandat të jetë presidente e vendit.

“Më 4 mars përfundon afati kushtetues i zgjedhjes së Presidentit, ndërsa mos finalizimi i këtij procesi, e dërgon vendin brenda 45 ditëve serish në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, andaj nëse para formalizimit të kandidaturës së saj edhe zyrtarisht, LVV, ende po teston terrenin për mbështetjen e zonjës dr. Vjosa Osmani , Abdixhiku dëshmoi se partia që ai udhëheqë, nuk dëshiron të bëhet më pengesë e krijimit të institucioneve të shtetit dhe shkaktare e destabilitetit politik të vendit, i cili me deklaratën se në këtë fazë nuk është propozuar emër i veçantë për t’i kërkuar votat e LDK-së, la të nënkuptohet se nëse Guxo dhe LVV, janë përcaktuar për Vjosën presidente, kandidatura e presidentes aktuale vlen edhe për LDK-në dhe vetëm duhet të bëhen bashkë, që ti sigurojnë edhe numrat e mjaftueshëm për votimin e saj në Kuvend.

Prandaj duke qenë se edhe javën e kaluar kryeministri Kurti ishte takuar me Abdixhikun, por takimi i tyre nuk dha këtë epilog, procesi i zgjidhjes së presidentit duket të jetë në përfundim dhe se nuk ka më tendencë për kalkulime të mëtejme politike, gjë që jep shpresë se zonja dr. Vjosa Osmani, do ta vijoi mandatin e saj si presidente e vendit, për sigurimin e unitetit të brendshëm dhe përfaqësimin e suksesshëm të shtetit tonë, me shënimin e arritjeve të vazhdueshme, sjelljen e njohjeve të reja dhe faktorizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, të shtetit të pavarur të Kosovës në politikën e jashtme euroatlantike dhe globale”, shtjelloi Qarri.

Gjithashtu, ai ripërsëriti faktin se, sipas tij, Osmani është kandidatura më e duhur për presidente.

Analisti kujtoi faktin se ishte pikërisht LDK që ia mundësoi zgjedhjen si presidente Osmanit në mandatin e parë, e njëjtë pritet të veprojë edhe kësaj radhe, bazuar në atë se çka deklaroi Abdixhiku.

“Me këtë rast, e ndiejë për obligim si qytetar i Kosovës, që ta përsërisë edhe njëherë, se kandidatura e zonjës dr.Vjosa Osmani është kandidatura më e mirë, figura më serioze, dhe personaliteti më i përgatitur politik për përfaqësimin e denjë diplomatik të Kosovës në politikën ndërkombëtare, me një fjalë aktualisht Vjosa Osmani është e pa konkurrencë për postin e presidentes së vendit.

Andaj dhe Abdixhiku i cili në fakt dr. Vjosa Osmanin e ka votuar edhe mandatin e kaluar, u shpreh, jo vetëm figurativisht, se si parti LDK nuk ka qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj zonjës Osmani, me çka dhe sinjalizoi se LDK do ta mbështes edhe me vota rizgjedhjen e saj në Kuvend, gjë që e shoh si vendim mjaft të mençur dhe hap shumë pozitiv për Kosovën që duhet përshëndetur nga të gjithë.

Përgjigja e tij, na jep me kuptua se z. Abdixhiku ka gatishmëri të plotë për ta mbështetur sërish zgjedhjen e dr. Vjosa Osmanit në Kuvend edhe për një mandat të ri, si presidente e vendit, derisa Albin Kurti edhe nëse deri në ditën “D” në Kuvend, vijon ta testojë përmes një procesi konsultativ, mbështetjen reale politike, ai duket se dëshiron të jetë i sigurt, që në seancën e votimit, të mos dështojë zgjedhja e presidentes/it, dhe të mos rrezikohet vendi, që pa asnjë nevojë, serish të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat në këto momente, duket se nuk i dëshiron askush”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Të Ngjashme