Veprimtari politik Milazim Maraj ka shprehur shqetësim për gjendjen aktuale të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar se ndarja historike dhe mungesa e një strategjie të përbashkët kombëtare kanë ndikuar në dobësimin e bashkëpunimit ndërshqiptar.
Sipas tij, pasojat e ndarjes së gjatë politike kanë lënë gjurmë të thella në raportet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
“Duket që pasojat e ndarjes së gjatë dhe okupimit edhe më të gjatë kanë ndikuar në ndjenjat e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Kjo gjendje ka sakrifikuar shumë shqiptarë, patriotë me vlera të larta intelektuale, humane dhe patriotike, duke sjellë pasoja të rënda politike e diplomatike në të dy anët e kufirit”, ka deklaruar Maraj.

Veprimtari politik Milazim Maraj
Ai ka kritikuar atë që e sheh si mungesë të një politike të koordinuar shqiptare në raport me zhvillimet rajonale, duke theksuar se interesat kombëtare shpesh janë lënë në plan të dytë.
“Një gjendje e tillë duket se e ka copëtuar më tej hapësirën shqiptare dhe jo për herë të parë politikanë nga Shqipëria kanë marrë vendime që kanë ngritur shqetësime për interesat kombëtare. Historia ka treguar se sa herë që politika largohet nga parimet kombëtare, pasojat i vuajnë shqiptarët në rajon”, është shprehur ai.
Maraj ka folur edhe për çështjen e hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke e cilësuar këtë si një zhvillim që kërkon një analizë më të thellë politike dhe historike.
“Në kohën kur Serbia po përballet me humbje të reputacionit në arenën ndërkombëtare, dalja e çështjes së konsullatës në Shkodër ngre shumë pyetje. A kanë mësuar politikanët nga historia kombëtare? Sa gjak shqiptar është derdhur për Shkodrën nga sulmet serbe dhe malazeze për ta pushtuar këtë vend?”, ka thënë Maraj.
Sipas tij, marrëdhëniet diplomatike nuk mund të ndërtohen duke anashkaluar historinë dhe realitetin politik të rajonit.
“Lidhjet historike apo kulturore mes shqiptarëve dhe Serbisë nuk kanë qenë një realitet i qëndrueshëm historik. Përkundrazi, historia është shoqëruar me luftëra dhe përpjekje për të dëmtuar identitetin dhe interesat shqiptare. Prandaj çdo hap diplomatik duhet të shihet me shumë kujdes dhe përgjegjësi”, ka deklaruar ai.
Maraj ka kritikuar gjithashtu mungesën e një reagimi më të fuqishëm të diplomacisë shqiptare për shqiptarët jashtë kufijve, duke përmendur veçanërisht pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Shqipëria do të duhej të ngrinte zërin në OKB, në Bashkimin Evropian dhe në çdo institucion ndërkombëtar për të mbrojtur bashkëkombësit e saj. Ndërsa sot kemi një situatë ku duket sikur diplomacia shqiptare nuk po e luan rolin që duhet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në rajon”, është shprehur ai.
Ai ka vlerësuar se parimi i reciprocitetit duhet të ketë përmbajtje reale dhe të sjellë përfitime për shqiptarët në rajon.
“Çfarë përfitojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës nga këto zhvillime? Ky është një pyetje që duhet të marrë përgjigje. Reciprociteti nuk mund të jetë vetëm një deklaratë politike, por duhet të sjellë barazi reale dhe mbrojtje të të drejtave të komuniteteve”, ka thënë Maraj.
Në fund, veprimtari politik ka kërkuar një rikthim të fokusit te interesat kombëtare dhe një diplomaci më aktive.
“Shqipëria nuk arriti që për shumë vite të bëhet epiqendër kulturore dhe kombëtare e shqiptarëve. Ideologjitë politike dhe interesat e ndryshme shpesh kanë mbizotëruar mbi interesin kombëtar. Por shqiptarët që nuk përkulen dhe që vazhdojnë të luftojnë për interesat e tyre kanë ekzistuar gjithmonë dhe do të ekzistojnë”, ka përfunduar Maraj.
