Lifestyle

Mimoza Ahmeti fiton “Ferma Vip 3”, finalja magjike mbajti të mbërthyer publikun në ekranin e “Vizion Plus”

Poetja e njohur Mimoza Ahmeti rrëmbeu fitoren e edicionit të tretë të “Ferma Vip”.

E pranishme në fermë që nga dita e parë, Moza ndërtoi një rrugëtim krejtësisht unik, duke u kthyer në një nga personazhet më të komentuara dhe më të dashura të këtij edicioni. Me personalitetin e saj të veçantë, reflektimet filozofike dhe emocionet e forta që ndau me publikun, ajo arriti të fitojë zemrat e shqiptarëve, të cilët e kurorëzuan fituese të këtij sezoni.

Përballja e fundit ishte ajo me Ilir Shaqirin, në një televotim vendimtar që u meritua pas të gjitha sfidave dhe sakrificave të kaluara gjatë këtyre muajve të qëndrimit në Fermë.

I pari që la garën ishte DJ Bujaka, i renditur në vendin e pestë.

Gara vijoi mes katër finalistëve të mbetur, të cilët u përballën me sfidën e fundit të këtij edicioni.

Ndërkohë, publiku vendosi që Soni Malaj ta mbyllte garën në vendin e katërt, ndërsa Elvis Pupa në vendin e tretë, duke lënë përballë njëri-tjetrit dy nga figurat më të forta të këtij sezoni.

Por rruga drejt fitores kaloi përmes një finaleje spektakolare, ku emocionet nisën që në minutat e para. Pesë finalistët, Mimoza Ahmeti, Ilir Shaqiri, Elvis Pupa, Soni Malaj dhe DJ Bujaka, përjetuan surpriza të veçanta dhe u rikthyen pas në kohë përmes rrëfimeve dhe kujtimeve të rrugëtimit të tyre në fermë.

Nën drejtimin e Arbana Osmanit dhe prodhimin e “Vita Production”, nata e madhe solli gjithçka që publiku kishte pritur, emocion, surpriza, spektakël dhe mbi të gjitha kurorëzimin e fitueses së këtij edicioni.

Pas më shumë se tre muajsh emocionesh, sfidash, surprizash dhe historish që mbajtën të mbërthyer publikun shqiptar, “Ferma VIP 3” mbylli siparin e një prej edicioneve më të suksesshme të saj.

Një udhëtim që solli jo vetëm garë për çmimin e madh, por edhe miqësi, përballje, rrëfime njerëzore dhe momente që do të mbeten gjatë në kujtesën e teleshikuesve, duke lënë pas një sezon që shkroi historinë e vet në ekranin e Vizion Plus.

Të Ngjashme