Lajme

Minatorët e Trepçës mbeten të bllokuar nëntokë, reagon ministrja Rizvanolli

Ndërrimi i dytë i minatorëve të Trepçës ka mbetur i bllokuar brenda horizontit 11, pas një defekti në pajisjet elektrike që ka shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji.

Sipas informacioneve, gjithsej 63 minatorë ndodhen brenda minierës. Ata janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00.

Për situatën ka reaguar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Postim i plotë:

Sipas informatave nga menaxhmenti i Trepçës, minatorët që ndodhen brenda minierës pas defektit në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë. Ata janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00.

Ekipet teknike po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji. Ndërkohë, po organizohet dalja graduale e minatorëve përmes daljes emergjente. Menaxhmenti është në vendngjarje, ku kanë qenë edhe policia dhe zjarrfikësit.

Të Ngjashme