Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti në takim lamtumirës zëvendës drejtorin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të Ministrisë së Mbrojtjes, kolonel Sefer Shytin, me rastin e pensionimit të tij.
Me këtë rast, ministri nderoi kolonelin me Medaljen për “Shërbim të Shquar”, si mirënjohje për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe meritor në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.
Gjithashtu, sot u mbajt ceremonia zyrtare e përcjelljes në pension të kolonel Shytit, në të cilën morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, sekretari i përgjithshëm, Gafur Dugolli, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, si dhe kolegë, ushtarakë, miq dhe familjarë të kolonelit.
Gjatë fjalimeve të rastit u theksuan kontributi, sakrifica dhe profesionalizmi i kolonel Sefer Shytit në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës.
Me nderim dhe mirënjohje për kontributin e çmuar ndër vite, kolonel Sefer Shytit i urojmë pensionim të qetë, shëndet të mirë dhe suksese në të gjitha etapat e ardhshme të jetës.

