Ka filluar takimi i punës ndërmjet delegacioneve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës dhe të Shqipërisë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Para nisjes së takimit të përbashkët, është zhvilluar një takim bilateral ndërmjet ministrit Armend Muja dhe homologut të tij Andis Salla, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë mbështetjen për fermerët, shkëmbimin e përvojave dhe harmonizimin e politikave bujqësore.
Gjatë takimit të delegacioneve pritet të trajtohen çështje konkrete si rritja e prodhimit vendor, lehtësimi i tregtisë së produkteve bujqësore ndërmjet dy vendeve, si dhe projektet e përbashkëta në zhvillimin rural.
Pas përfundimit të takimeve, pritet të mbahet një konferencë për media, ku dy ministrat do të bëjnë publike detajet e diskutimeve dhe marrëveshjet e arritura.
