Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ministria e Izraelit: Kosova është si shtëpi për ne, njerëzit janë të ngrohtë

 
   

Ministria izraelite për Bashkëpunim Rajonal, zyrtarë të lartë të së cilës ishin për vizitë dhe marrëveshje në Kosovë këtë javë, ka ndarë një mesazh mjaft domethënës për sinqeritetin e partneritetit Kosovë-Izrael

Pas dy memorandumeve të bashkëpunimit të nënshkruara me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Mjedisit, zyrtarët izraelitë të Ministrisë së Bashkëpunimit Rajonal u ndanë jashtëzakonisht të lumtur nga mikpritja në Kosovë.

“Disa vende menjëherë të bëjnë të ndihesh si në shtëpi. Kosova është njëra nga to – jo vetëm sepse është një shtet i ri më një dëshirë të thellë, me përulësi por ambicioze, për të ecur krah për krah Izraelit – por po ashtu për shkak të ngrohtësisë së popullit dhe mikpritjes së jashtëzakonshme”, thuhet në reagimin e kësaj Ministrie pas vizitës në vendin tonë.

Gjatë vizitës që pati Drejtori i Përgjithshëm i kësaj Ministrie të Izraelit, disa takime u zhvilluan me ministra dhe zyrtarë të lartë kosovarë në fushat e teknologjisë, arsimit, botës akademike, mjedisit dhe nga degë të tjera po ashtu.

Ministria izraelite tha se ajo që i bashkon Izraelin dhe Kosovën është dëshira e sinqertë për të krijuar projekte domethënëse dhe me ndikim, të tilla që i bashkojnë njerëzit mes vete.

Që nga krijimi i marrëdhënieve diplomatike me Izraelin në vitin 2021, Kosova ka përfituar nga bashkëpunimi dhe memorandumet e nënshkruara në disa fusha, veçanërisht në arsim dhe bujqësi. Përpos kësaj, Izraeli gjithashtu mori vendimin për t’ua hequr vizat shtetasve kosovarë që duan të udhëtojnë drejt Shtetit Hebre.