Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot ka pritur në takim Ambasadoren e Kroacisë në Republikën e Kosovës, znj. Danijela Barišić, me të cilën kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe nevojën për avancimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Në këtë takim, u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në fushën e ekstradimit mes Kosovës dhe Kroacisë, si komponent i domosdoshëm për një bashkëpunim juridik më efektiv dhe funksional.
Po ashtu është diskutuar edhe për çështjen e krimeve të luftës, si një temë me ndjeshmëri të lartë dhe me rëndësi të veçantë për të dyja vendet.
“Krimet mizore të luftës gjithashtu mbeten një çështje e hapur dhe me ndjeshmëri të lartë për të dyja vendet tona, një plagë e hapur e shoqërisë që kërkon përkushtim maksimal e zotim të drejtpërdrejtë dhe qasje serioze, të qartë e konkrete institucionale”, tha Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla tutje theksoi se trajtimi i këtyre çështjeve kërkon institucione të forta dhe vendimmarrje të qëndrueshme, të bazuara në sundimin e ligjit.
“Pa reformë të thellë në drejtësi, nuk mund të ketë as sundim ligji të besueshëm dhe as shtet të fortë funksional”, theksoi ajo.
Në anën tjetër, ministrja Gërvalla përmendi dhe vlerësoi edhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si shtet mik dhe partner të rëndësishëm të Republikës sonë.
