Gjatë ditës së hënë, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku u morën disa vendime të rëndësishme, e ndër to Qeveria miratoi vendimin për të dërguar në Kuvend, projektligjin për dërgimin e trupave të FSK-së në Gaza.
Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është e gatshme të ndihmojë popullin e Gazës.
“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në forcën stabilizuese, dhe të ndihmojmë popullin e Gazës”, tha kryeministri Albin Kurti.
Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.
“Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe e vendos republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë vazhdimisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar”, tha ai.
Vendimi për dërgimin e trupave u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kujtojmë që, ky vendim u përshëndet dhe se një hapë i tillë është mjaft i rëndësishëm për Kosovën, mirëpo për përfitimet strategjike që mund të ketë Kosova nga pjesëmarrja në këtë mision ndërkombëtar për “Bota sot”, kanë folur ekspertët e sigurisë.
Racaj: Suksesi i misionit varet nga përgatitja, profesionalizmi dhe besimi i ndërsjellë brenda kontingjentit
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj.
Racaj thekson se vendimi për dërgimin e FSK-së në Gaza është një hap i rëndësishëm strategjik që dëshmon pjekurinë e Kosovës si shtet dhe rolin e saj në rritje në sigurinë ndërkombëtare.
Ai argumenton se ky angazhim jo vetëm rrit besueshmërinë dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës, por edhe zhvillon kapacitetet profesionale të FSK-së dhe forcon lidhjet me aleatët kryesorë, veçanërisht me SHBA-në.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar një kontingjent të Forca e Sigurisë së Kosovës në një mision stabilizues në Gaza përbën një hap me peshë të veçantë strategjike dhe politike për shtetin e Kosovës. Ky angazhim, i cili realizohet në kuadër të një force ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në përputhje me Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, dëshmon qartë transformimin e Kosovës nga një përfituese e sigurisë në një kontribuese aktive të saj.
1. Përfitimet strategjike për Kosovën
Pjesëmarrja në këtë mision ndërkombëtar sjell disa përfitime të rëndësishme:
Së pari, rritet kredibiliteti ndërkombëtar i Kosovës si partnere e besueshme në arkitekturën e sigurisë globale dhe në procesin e integrimit euroatlantik.
Së dyti, avancohen kapacitetet profesionale të FSK-së përmes përvojës praktike në operacione reale shumëkombëshe, sidomos në menaxhimin e krizave, operacionet humanitare dhe mbrojtjen e civilëve.
Së treti, forcohet bashkëpunimi me aleatët strategjikë, veçanërisht me SHBA-të, duke krijuar mundësi për mbështetje më të madhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse”, tha Racaj.
Tutje, ai shton se ky vendim ka edhe rëndësi simbolike, sepse tregon gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në paqe globale, por njëkohësisht paralajmëron për rreziqet reale që i presin pjesëtarët e FSK-së në një zonë të pasigurt si Gaza.

Muhamet Racaj
Ai nënvizon se, suksesi i misionit varet nga përgatitja e mirë, përzgjedhja e kujdesshme e ushtarëve dhe bashkëpunimi i fortë brenda kontingjentit, duke qenë gjithmonë të kujdesshëm ndaj rrethanave dhe aktorëve të tjerë në terren.
“Ky vendim ka edhe dimension simbolik – Kosova dëshmon se është e gatshme të kontribuojë në paqe dhe stabilitet ndërkombëtar, duke reflektuar pjekuri shtetërore dhe përgjegjësi globale.
2. Rreziqet konkrete për pjesëtarët e FSK-së
Megjithatë, duhet theksuar se Gaza mbetet një zonë me rrezik të lartë sigurie. Pjesëtarët e FSK-së mund të përballen me kërcënime si:
– sulme të armatosura dhe incidente të paparashikueshme;
– prani të grupeve të armatosura jo-shtetërore;
– rrezik nga mjete shpërthyese të improvizuara;
– sfida psikologjike për shkak të një mjedisi me popullatë të traumatizuar nga lufta.
Nga përvoja ime në përgatitjen dhe dërgimin e kontingjenteve ushtarake në Irak dhe Afganistan, suksesi i misionit varet drejtpërdrejt nga disa elemente kyçe: selektimi rigoroz i personelit, kontrollet e detajuara mjekësore, stërvitjet paraprake në kushte sa më të përafërta me zonën e operacionit, si dhe ndërtimi i besimit të ndërsjellë brenda kontingjentit.
Një element shumë i rëndësishëm është që pjesëtarët të mbështeten dhe të kenë besim të plotë vetëm tek personeli i kontingjentit të tyre, duke qenë të kujdesshëm në raport me aktorë të tjerë në terren, qofshin ushtarakë apo civilë, pasi shumë prej tyre mund të jenë të prekur nga trauma dhe situata të paqëndrueshme”, shpjegoi gjenerali.
Ndër të tjera, ai potencoi që nëse realizohet me profesionalizëm dhe bashkëpunim të mirë me partnerët ndërkombëtarë, ky mision mund të forcojë aftësitë e FSK-së dhe të rrisë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Nëse ky angazhim realizohet me profesionalizëm të lartë dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ai mund të jetë një histori suksesi për Kosovën, duke rritur jo vetëm kapacitetet operative të FSK-së, por edhe pozicionin ndërkombëtar të shtetit në skenën globale të sigurisë”, foli Racaj për “Bota sot”.
Berisha: Kosova, në aspektin strategjik, përfiton një rol të rëndësishëm si një shtet kontribuues dhe pjesëmarrës aktiv në paqe dhe stabilitet global
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që ky vendim i Qeverisë së Kosovës tregon një orientim të qartë strategjik në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke synuar një rol më aktiv në arenën ndërkombëtare.

Fidair Berisha
Ai shton se, përmes këtij angazhimi, Kosova rrit kredibilitetin e saj dhe forcon marrëdhëniet me partnerët strategjikë, duke dëshmuar gatishmëri për të kontribuar në paqe globale.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës, nën udhëheqjen e Albin Kurti, për të proceduar projektligjin për dërgimin e trupave të FSK-së në mision në Gaza, përfaqëson një orientim strategjik të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit.
Kosova, në aspektin strategjik, përfiton një rol të rëndësishëm si një shtet kontribuues dhe pjesëmarrës aktiv në paqe dhe stabilitet global. Si një shtet relativisht i ri në arenën ndërkombëtare, pjesëmarrja në misione jashtë vendit rrit kredibilitetin dhe, rrjedhimisht, forcon subjektivitetin ndërkombëtar të saj. Gjithmonë kam theksuar se Kosova duhet të ndjekë një politikë dhe diplomaci më proaktive, në mënyrë që të thellojë marrëdhëniet me partnerët strategjikë, veçanërisht me vendet perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë, duke dëshmuar se është e gatshme të ndajë përgjegjësi në çështje globale”, thotë ai.
Duke vazhduar tutje, eksperti i sigurisë shprehet se, angazhimi i FSK-së në Gaza sjell përvojë dhe zhvillim profesional, por njëkohësisht paraqet rreziqe të larta sigurie për shkak të natyrës së paqëndrueshme të konfliktit.
“Angazhimi i FSK-së në një mision ndërkombëtar si Gaza, i cili është mjaft kompleks, do të ofronte përvojë të drejtpërdrejtë operacionale, rritje të kapaciteteve taktike dhe strategjike, si dhe përmirësim të ndërveprueshmërisë me forcat partnere.
Megjithatë, Gaza konsiderohet ende një zonë aktive konflikti dhe ky angazhim nuk është pa rreziqe. Ambienti i sigurisë është shumë i paqëndrueshëm dhe, rrjedhimisht, ushtarët e FSK-së duhet ta kenë të qartë se probabiliteti është i lartë që të përballen me kërcënime të drejtpërdrejta, përfshirë sulme të armatosura, rrezikun nga mjetet shpërthyese të improvizuara (IED), sulme raketore apo incidente të papritura që burojnë nga dinamika e ndërlikuar e konfliktit në terren”, tha ai.
Në fund, Berisha shtoi se, që ky vendim kërkon vlerësim të kujdesshëm politik e diplomatik, mandat të qartë ndërkombëtar dhe koordinim të ngushtë me aleatët për të shmangur pasoja të padëshiruara.
Megjithëse sjell përfitime të rëndësishme, prioritet kryesor duhet të mbetet siguria e ushtarëve të FSK-së në një mision me rrezik të lartë.
“Nëse e shohim nga aspekti politik dhe diplomatik, ky vendim i Qeverisë kërkon një vlerësim të detajuar të rreziqeve dhe gjithmonë një mandat të qartë ndërkombëtar. Po ashtu, kërkohet një balancim i kujdesshëm i qëndrimeve ndërkombëtare dhe koordinim i plotë me aleatët, në mënyrë që të shmangen implikime të padëshiruara në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Përkundër faktit se pjesëmarrja e FSK-së në një mision të tillë mund të sjellë përfitime të rëndësishme diplomatike, strategjike dhe profesionale, ajo njëkohësisht kërkon kujdes maksimal. Prioritet kryesor duhet të mbetet siguria e ushtarëve tanë në këtë mision të ndjeshëm dhe me rrezik të lartë”, përfundoi eksperti i sigurisë, Fidair Berisha për “Bota sot”.
