Bashkia e Lezhës ka ndarë lajmin e trishtë, ku mjeku i njohur Ndue Simoni është ndarë nga jeta ditën e sotme.
Në postimin e saj në Facebook, Bashkia Lezhë shkruan se mjeku Simoni dha një kontribut të madh në ngritjen dhe zhvillimin e shërbimeve spitalore në qytetin e Lezhës, veçanërisht në fushën e anestezisë.
Po ashtu, në postim theksohet se me largimin mjekut nga jeta, qyteti i Lezhës humb një profesionist të përkushtuar.
Postimi i Bashkisë Lezhë:
Bashkia Lezhë shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për ndarjen nga jeta të mjekut të mirënjohur Ndue Simoni, një personalitet i shquar i shërbimit shëndetësor dhe një figurë e respektuar e komunitetit lezhjan, i cili për dekada me radhë i shërbeu qytetarëve me përkushtim të lartë profesional, integritet dhe ndjenjë të thellë humanizmi.
I diplomuar në Universiteti Shtetëror i Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë, doktor Simoni kontribuoi në mënyrë të qenësishme në ngritjen dhe zhvillimin e shërbimeve spitalore në qytetin e Lezhës, veçanërisht në fushën e anestezi-reanimacionit pranë Spitali Rajonal i Lezhës. Në vlerësim të kontributit të tij të çmuar dhe veprimtarisë së gjatë profesionale, në vitin 2018, shërbimi i anestezi-reanimacionit mori zyrtarisht emrin “Ndue Simoni”.
Me largimin e tij nga jeta, qyteti i Lezhës humb një profesionist të përkushtuar, një koleg të nderuar dhe një qytetar me vlera të larta morale e shoqërore, trashëgimia e të cilit do të mbetet e paharruar në shërbim të komunitetit.
U prehtë në paqe.

