Aktuale

Mojtaba Khamenei flet për herë të parë që nga marrëveshja dhe bën deklaratën e fortë

Udhëheqësi suprem i Iranit ka deklaruar se vendi do ta çojë menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit në “një fazë të re”, është thënë në një mesazh të transmetuar nga mediat shtetërore.

Kjo deklaratë që është e para nga Mojtaba Khamenei që nga shpallja e armëpushimit dyjavor thekson se Irani mbetet i vendosur “të marrë hak” për vrasjen e të atit në ditën e parë të luftës, si dhe për të gjithë ata që humbën jetën gjatë konfliktit.

Ai ka shtuar se Teherani do të kërkojë kompensim të plotë për dëmet e shkaktuara, përfshirë dëmshpërblimin për familjet e viktimave dhe të plagosurve, raportoi “The Guardian” të enjten.

“Ne do të kërkojmë kompensim për çdo dëm të shkaktuar, si dhe çmimin e gjakut për martirët dhe kompensimin për të plagosurit e kësaj lufte,” thuhet në deklaratë.

Paralajmërimi për “fazën e re” në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës – nuk u shoqërua me detaje të mëtejshme.

Udhëheqësi iranian u bëri thirrje mbështetësve të regjimit të dalin në protesta publike, duke theksuar se “zërat e ngritur në sheshet publike ndikojnë në rezultatin e negociatave”.

Ai gjithashtu ka theksuar se Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij dhe i konsideron të gjitha frontet e rezistencës si një entitet të vetëm.

Të Ngjashme