Ish-deputeti i PD, Dashnor Sula u prezantua këtë të hënë në detyrën e re të Kryeinspektorit të Përgjithshëm.
Ish-besniku i Berishës theksoi që e sheh detyrën si një sfidë dhe një “dorashkë të hedhur” nga kryeministri Edi Rama. Sula vuri në dukje se do të bashkëpunojë ngushtë me ministren dhe kryeministrin Rama në detyrën e re.
“Bashkëpunimi me zonjën ministre dhe me qeverinë do të jetë në kushte maksimale. Sigurisht mendoj që tre pika do më shoqërojnë gjatë gjithë periudhës që do jem në krye të Inspektoriatit të përgjithshëm. Përkushtimi, përkushtimi do të jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit kur vihet në punë, deri orën që mbyllet, dhe unë ju garantoj që do jem 24 orë në 24 për çdo problem, apo koleg, vartës, që do ketë problematika, për t’u informuar, apo për të patur direkt kontakt me ministren dhe kryeministrin. Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, sepse kështu funksionon demokracia, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të punuar dhe për çuar diçka më para për Shqipërinë. Për mua kjo është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ nga kryeministri për të përmbushur këtë detyrë. S’është privilegj, është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe”, tha Sula.
