Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Moshat 25-35 vjeç më të prekurat nga HIV/AIDS, gjashtë viktima këtë vit

Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë së HIV/AIDS, megjithatë vetëm përgjatë këtij vitit janë regjistruar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e HIV/AIDS.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Botërore të AIDS 2025.

Moneytizer Paragrafi 2

“T’i tejkalojmë pengesat dhe të transformojmë përgjigjen ndaj AIDS”, kjo është motoja e fushatës së sivjetme botërore karshi kësaj sëmundje.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, Merita Vuthaj, u shpreh se përballja me HIV/AIDS-in mbetet një sfidë globale. Ajo theksoi angazhimin e këtij dikasteri për të forcuar sistemin shëndetësor, në mënyrë që shërbimet shëndetësore për këtë sëmundje të jenë të qasshme për të gjithë.

Moneytizer Paragrafi 4

Vuthaj njoftoi se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nis shpërndarja e terapisë PrEP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.

“Në fillim të vitit 2024… kemi filluar dhe në vazhdimësi të vitit 2025 po vazhdon MSh me implementimin dhe funksionalizimin me sukses të sistemit të digjitalizimit për mbikëqyrjen e sëmundjeve ngjitëse që tashmë është i njohur SMSN, një nismë e rëndësishme për përmirësimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të sëmundjeve ngjitëse. Ky sistem i kohës e modern po ofron mundësi për mbledhje dhe analizim të të dhënave në kohë reale, element i rëndësishëm për luftimin e kësaj sëmundje ngjitëse….. Në fillim të vitit 2026, Ministria e Shëndetësisë do të filloj pilotimin e shpërndarjes së terapisë së PrEP-it(profilaksia para-ekspozimit për HIV) në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, aktivitet ky i cili ka rrjedh nga një nismë për hartimin dhe hulumtimin e PSO-së për shpërndarjen e PREP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor dhe kjo do t’i hap rrugë parandalimit dhe përhapjes së HIV, sidomos në grupet me rrezik të lartë“, tha ajo.

Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Ardita Baraku tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale karshi HIV/AIDS për shkak të kufizimit të fondeve.

“Viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale për HIV/AIDS sepse në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet tjera të botës është bërë kufizimi i fondeve me të cilat është rrezikuar përparimi për kontrollin e kësaj sëmundje gjegjësisht arrija e asaj që është planifikuar deri në vitin 2030. Prandaj, shumë njerëz po përballen me rreziqe edhe me cenueshmëri për të drejtat që i kanë për shëndet dhe dinjitet, prandaj nevojitet prioritizimi dhe integrimi i shërbimeve…..Këto terapi që janë pa pagesë edhe testimet janë pa pagesë ndihmojnë që të mos kemi të këtyre llojeve sa i përket pabarazisë, por ende mbetet sfida e dinjitetit dhe jetës normale apo dinjitoze në shoqëri”, deklaroi Baraku.

Udhëheqësi i programit për rini në UNFPA, Besnik Sherifi tha se sëmundja HIV mbetet problem global i shëndetit publik duke marr mbi 44 milionë jetë deri sot.

Sherifi potencoi se si UNFPA në Kosovë kanë kontribuar në parandalimin e HIV/AIDS përmes programeve të shumta.

“Në fund të vitit 2024 rreth 40.8 milionë njerëz jetonin me HIV shumica në rajonin afrikan dhe vetëm gjatë vitit 2024 630 mijë persona humbën jetën nga shkaqet e lidhura me HIV, ndërsa 1.3 milionë u infektuan. Përparimi në parandalimin e HIV është çelësi për një brezë të lirë nga SIDA…megjithatë, shkurtimet e mëdha të fondeve kanë goditur rëndë programet e parandalimit duke lënë milionë njerëz pa qasje në ilaçe jetike dhe duke rritur rrezikun e infeksioneve të reja veçanërisht tek vajzat dhe gratë e reja….Në Kosovë UNFPA ka përkrahur programe të shumta në fushën e parandalimit të HIV që nga viti 1999 duke punuar me qindra e mijëra të rinj”, theksoi ai.

Luljeta Gashi nga Departamenti i Epidemiologjisë pranë IKSHPK-së, u shpreh se Kosova ka shkallë të ulët të epidemisë me HIV, megjithatë vetëm vitin aktual janë raportuar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë vdekur.

Sipas Gashit, moshat më të prekura janë ato 25-35 vjeç, derisa meshkujt janë më të infektuar me HIV me gjithsej 82%.

“Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë ku prevalenca e HIV në mesin e popullatës së përgjithshme është nën 1% dhe në subpopullata nën 5%. Të dhënat ekzistuese dëshmojmë se ne nuk kemi epidemi të koncentruar apo gjeneralizuar të HIV-infeksionit. Që nga viti 1986 deri në vitin 2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej 246 raste me HIV/AIDS. Deri më tani 57 persona kanë vdekur si pasojë e HIV/AIDS dhe gjatë këtij viti 2025 janë raportuar 31 raste me HIV/AIDS dhe 6 raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it. Rastet me HIV/AIDS në Kosovë që nga viti 1986 deri në vitin 2025 shohim një rritje të rasteve nga viti 2022 kur i kemi 21 raste, në vitin 2023 20, në vitin 2024 i kemi pas 34 raste….Numri më i madh i rasteve është shënuar në komunën e Prishtinës janë 76 raste me 12 raste t] vdekjes si pasoj e AIDS. Pastaj, është komuna e Prizrenit me 32 raste me 5 të vdekur. HIV/AIDS mbetet një sëmundje akoma me mbizotërim urban….Sipas gjinisë 82% i përkasin gjinisë mashkullore dhe 18% janë të gjinisë femërore. Numri i rasteve sipas grup-moshës. Shpërndarja sipas grup-moshës tregon se në vendin tonë dominon grup-mosha 25-34 vjeç me 35% e ndjekur nga grup-mosha 35044 vjeç me 23%”, tha ajo.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës rrugët e përhapjes së HIV-AIDS-it, janë heteroseksuale me 48%, e pasuar nga 35% homoseksuale.

Prej vitit 1988, 1 Dhjetori njihet në të gjithë botën si dita kundër virusit vdekjeprurës, HIV/AIDS.

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie./