Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka paralajmëruar se deputetëve të cilëve u janë shtuar votat gjatë procesit të numërimit dhe për të cilët faktohet se kanë qenë pjesë e kësaj skeme, do t’u kërkohet që të mos e pranojnë mandatin.
“Ti mund të kesh 50 mijë apo 100 mijë vota, por nëse konstatohet dhe faktohet se të janë shtuar votat dhe ke qenë pjesë e asaj, nuk mund të pretendosh se je deputet, kushdo që të jesh dhe nga cilado parti”, ka deklaruar Hamza të mërkurën në emisionin “Rubikon”.
Sipas tij, në parim, një mandat i tillë nuk duhet të pranohet.
Hamza theksoi se edhe në rastet kur votat e shtuara nuk ndikojnë në rënien e PDK-së nën pragun e 22 deputetëve të projektuar, partia do të distancohet nga të dyshuarit për keqpërdorim.
“Nëse konstatohet se dikush ka qenë pjesë e këtij procesi, nuk është e drejtë që ta pranojë mandatin. Nëse megjithatë e pranon, unë si kryetar dhe PDK-ja do të distancohemi”, tha ai.
Edhe pse Hamza nuk përmendi emra konkretë, sipas rezultateve të përmbledhura të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), katër kandidatë që aktualisht projektohen të sigurojnë ulëse në Kuvend, rezultojnë me nga 700 deri në rreth 3,300 vota të hequra pas rinumërimit. Bëhet fjalë për Xhavit Halitin, Kujtim Gashin, Enver Hoxhajn dhe Nait Hasanin.
Procesi i rinumërimit, i cili vazhdon ende ka rezultuar me heqjen e 719 votave për ish-deputetin Xhavit Haliti. Megjithatë, ai renditet i 16-ti në listën e 22 kandidatëve më të votuar të PDK-së, pozitë që e dërgon drejt Kuvendit.
Ndërkohë, ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i renditur i teti në listë, i janë minusuar 1,066 vota. Kujtim Gashi, i renditur i 15-ti, ka aktualisht 2,426 vota më pak, ndërsa Nait Hasani, i renditur i 10-ti, rezulton me 3,335 vota të hequra, por mbetet ende në mesin e kandidatëve më të votuar.
Analistët politikë thonë se manipulimi i votave brenda PDK-së është problem serioz dhe se pritet të ketë masa edhe më të forta.
“Mospranimi i mandatit masa e parë, përjashtimi nga partia ka procedura”
Analisti Halil Geci, thotë se Hamza nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveçse të prononcohet ashtu siç është prononcuar.
Ai thotë se manipulimi i votave është problem serioz që nuk mund të anashkalohet.

Halil Geci
“Unë mendoj se Bedri Hamza nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveçse të prononcohet ashtu siç është prononcuar, sepse në këtë rast nuk është më në pyetje një individ i caktuar, por kredibiliteti i Partisë Demokratike të Kosovës. Kur dihet se mbi 6000 vota janë manipuluar brenda së njëjtës parti, kjo tregon një problem serioz që nuk mund të anashkalohet. Dikur PDK akuzohej se u vidhte vota partive të tjera, ndërsa sot, kur partitë nuk mund t’ia vjedhin më votat njëra-tjetrës, po ndodh një fenomen edhe më shqetësues: kandidatët po ua vjedhin votat njëri-tjetrit brenda së njëjtës parti. Kjo e bën reagimin institucional të domosdoshëm. Prandaj, e vetmja rrugë për Bedri Hamzën ishte reagimi i menjëhershëm, sepse çdo heshtje do të nënkuptonte humbje të besimit te elektorati”, deklaron Geci për “Bota sot”.
Sipas tij, mospranimi i mandatit është masa e parë dhe më e menjëhershme.
Ai nuk përjashton edhe masa të tjera më të rënda.
“Mospranimi i mandatit është masa e parë dhe më e menjëhershme për të mbrojtur integritetin e partisë dhe procesit zgjedhor. Përjashtimi nga partia nuk mund të bëhet pa procedura statutore dhe pa u vërtetuar plotësisht manipulimi. Prandaj, deklarata e Bedri Hamzës nuk përjashton masa të tjera më të rënda, por tregon se PDK po distancohet nga çdo kandidat që përfiton në mënyrë të paligjshme”, shprehet analisti.
Reagimi i PDK-së, sipas Gecit, vjen në momentin kur manipulimi kapet në flagrancë dhe kur ekzistojnë argumente reale për të.
“Sepse vetëm pas përfundimit të numërimit dalin në pah faktet konkrete dhe provat. Para kësaj faze, çdo reagim do të ishte i pabazuar dhe do të dëmtonte procesin zgjedhor. Reagimi i PDK-së vjen në momentin kur manipulimi kapet në flagrancë dhe kur ekzistojnë argumente reale për të. Në këto rrethana, reagimi i Bedri Hamzës ishte e vetmja zgjedhje e mundshme”, shton Geci.
Në fund, ai shton se ky rast nënkupton nevojë për forcim të mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
“Ky rast tregon se ka nevojë për forcim të mekanizmave të kontrollit të brendshëm, por njëkohësisht dëshmon edhe gatishmërinë e lidershipit për ta pranuar problemin dhe për ta adresuar publikisht. Reagimi i Bedri Hamzës është një përpjekje për të ruajtur besimin e votuesve dhe për të dëshmuar se PDK nuk do të tolerojë manipulime, as kur ato ndodhin brenda saj”, përfundon analisti.
Të premten, Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar 109 persona për 48 orë, kjo nën dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme.
Në mesin e tyre, është edhe djali i deputetit të PDK-së, Nait Hasani, Art Hasani.
Media merr vesh se djali i ish-deputetit dyshohet se ka ushtruar funksionin e komisionerit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Manipulimi me pasoja penale, jo vetëm politike
Analisti Eduard Gashi, thotë se nëse vërtetohet se një kandidat apo një grup kandidatësh kanë qenë realisht pas skemës së manipulimit të votave në favor të tyre, atëherë mospranimi i mandatit nuk është dënim i mjaftueshëm.
Sipas tij, kur faktohen veprat pasojat mund të jenë penale dhe jo vetëm politike.

Eduard Gashi
“Së pari, duhet thënë qartë: një parti politike nuk mund të dënojë apo të përjashtojë dikë vetëm mbi dyshime. Ekziston parimi bazë i çdo sistemi demokratik: prezumimi i pafajësisë. Pra, është normale që PDK të thotë: “nëse faktohet”, sepse pa prova të qarta, çdo veprim i ashpër do të ishte i padrejtë, por edhe i cenueshëm juridikisht.
Megjithatë, problemi kryesor nuk është vetëm “mospranimi i mandatit”. Nëse vërtetohet se një kandidat apo një grup kandidatësh kanë qenë realisht pas skemës së manipulimit të votave në favor të tyre, atëherë mospranimi i mandatit nuk është dënim i mjaftueshëm — është vetëm një lëvizje minimale për të larë duart politikisht. Kur faktohet manipulimi: pasoja duhet të jenë penale, jo vetëm politike
Në atë moment, fokusi duhet të zhvendoset nga masat e brendshme partiake tek ajo që është më e rëndësishmja:
• kallëzim penal,
• procedurë hetimore,
• dhe ndjekje penale reale”.
“Sepse një gjë duhet kuptuar: përjashtimi nga partia është masë politike, ndërsa ndjekja penale është masë shtetërore — dhe është shumë më e rëndë, më serioze dhe më “edukative” për çdo individ që mendon se mund ta blejë apo vjedhë demokracinë. Këta njerëz nuk frikësohen nga përjashtimi.
Këta frikësohen nga:
• procedurat penale,
• humbja e integritetit publik,
• ndalimi për funksione,
• dhe pasojat reale në jetë e karrierë”, shprehet Gashi.
Ai përmend edhe mjetet tjera të forta disiplinore përtej mandatit.
“Partia ka edhe mjete të forta disiplinore (përtej mandatit)
Edhe pa hyrë menjëherë te përjashtimi, PDK mund dhe duhet të veprojë me masa konkrete:
• pezullim nga të gjitha funksionet partiake,
• ndalim kandidimi në të ardhmen,
• mbyllje e rrugës për çdo pozicion publik të propozuar nga partia,
• dhe mekanizma të brendshëm verifikimi për çdo kandidat. Këto janë masa që dërgojnë mesazh:
PDK nuk i mbron individët, por mbron standardin”, thekson analisti.
Ai sheh alarm serioz brenda PDK-së.
“Nuk mund të thuhet ende se ka humbje kontrolli — por ka alarm serioz
Të thuash menjëherë se “PDK e ka humbur kontrollin” mund të jetë e parakohshme. Sepse shpesh këto skema organizohen nga:
• individë ambiciozë,
• grupe lokale,
• rrjete të vogla që veprojnë të pavarur nga qendra. Mirëpo, kjo nuk e liron partinë nga përgjegjësia politike, sepse publiku e sheh kështu:
nëse manipulimi ndodh brenda listës së një partie, atëherë partia ka:
• ose problem filtrimi kandidatëve,
• ose problem të kulturës së brendshme politike,
• ose problem të kontrollit dhe monitorimit”, shprehet Gashi.
Në fund ai jep edhe mesazhin e shtetit dhe drejtësisë.
“Këtu është pika më e rrezikshme politikisht për PDK-në (dhe për çdo parti): A ishte ky një veprim i izoluar apo një atmosferë e toleruar?
Në hetim duhet të dalë e qartë:
• a ka pasur nxitje të heshtur?
• a ka pasur “mbyllje sysh”?
• a është sugjeruar “nën dorë” një sjellje e tillë?
• kush e dinte dhe çfarë bëri? Pikërisht këtu duhet hetim i thellë, jo vetëm deklarata. Dhe po: nëse ka indicie serioze, atëherë hetimi duhet të jetë i nivelit maksimal:• marrje në pyetje nga niveli lokal deri tek ai qendror,
• analizë komunikimesh, • dhe në raste të rënda edhe sekuestrim telefonash (si pjesë e hetimeve zyrtare). Ky është standardi që e pastron sistemin. Mesazhi që duhet dhënë nga shteti dhe drejtësia
Në fund, kjo çështje nuk është “punë e PDK-së” — kjo është punë e shtetit. Nëse demokracia lejon:
• manipulimin e votës,• rritjen artificiale të votave,• ose skema numërimi “të dirigjuara”, atëherë sistemi politik degradon dhe qytetari humb besimin. Prandaj drejtësia duhet ta bëjë të qartë:
kjo nuk është lojë politike — është vepër që cenon rendin kushtetues”, shton Gashi.
PDK ka të drejtë të presë prova, përfundon Gashi, duke shtuar se vetëm ligji e ndalon këtë fenomen.
“PDK ka të drejtë të presë prova para se të ndëshkojë politikisht, sepse parimi i pafajësisë është thelbësor. Por nëse manipulimi vërtetohet, atëherë: mospranimi i mandatit është minimum,
përjashtimi nga partia është masë dytësore, ndërsa ndjekja penale është e vetmja masë realisht serioze. Sepse vetëm ligji e ndal këtë fenomen. Dhe vetëm ligji është gjuha që ata njerëz e kuptojnë”, përfundon analisti.
