Lajme

MPB: Kosova në vendet më të larta në Ballkanin Perëndimor për siguri

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se vlerëson lartë gjetjet e raportit rajonal të “SecuriMeter 2025”, të organizuar nga Regional Cooperation Council (Këshilli për Bashkëpunim Rajonal), e cila ka realizuar një anketë vjetore për matjet e opinionit publik mbi sigurinë, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër e konfirmimit të progresit në vendin tonë, në fushën e sigurisë publike dhe  besimit në  institucione”, thotë MPB-ja.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ajo që është shumë e rëndësishme në bazë të këtij raporti është se: 64% e qytetarëve në Kosovë deklarojnë se ndihen të sigurt, duke e renditur vendin me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë personale në rajon.

“Në të njëjtin raport theksohet se disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie të ndjesisë së sigurisë, ndërsa Kosova vazhdon të dallohet për stabilitet dhe besim në institucionet e saj të sigurisë”, thotë MPB-ja.

Kjo ministri thotë se raporti po ashtu evidenton përpjekjet  që kanë bërë institucionet e Kosovës sa i përket punës dhe prezencës në teren. “Ku ka një vlerësim të  lartë të kënaqësisë me prezencën dhe patrullimet policore në hapësirat publike, si dhe nivelin më të ulët në rajon të perceptimit për ndërhyrje të padrejta të institucioneve të sigurisë në jetën private. Sipas raportit  besimi i qytetarëve në polici është (70.6%), ndërsa në ushtri (74.6%), që dëshmon edhe një herë profesionalizmin dhe integritetin e institucioneve tona”, vijon vlerësimi i MPB-së për raportin.

Image
Raporti

Sipas tyre, të dhëna të rëndësime  janë publikuar në këtë raport edhe në aspektin ekonomik dhe social. “58.4% e qytetarëve e konsiderojnë Kosovën vend të sigurt për të jetuar, ndërsa 80.5% shprehen se nuk kanë plan të emigrojnë,  një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet paraprake”, thotë MPB-ja.

Po ashtu, MPB-ja thotë se bazuar në gjetjet e raportit, qytetarët në Kosovë shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon lidhur me qeverisjen, korrupsionin dhe ndikimet e jashtme, duke reflektuar, siç thonë,  përmirësim të perceptimit për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Gjithashtu, sipas MPB-së, një aspekt tjetër, që ka trajtuar raporti është se  qytetarët e Kosovës nuk e perceptojnë ardhjen e të huajve si kërcënim për sigurinë apo stabilitetin ekonomik.

Gjatë vitit 2024 janë lëshuar 8,293 leje qëndrimi për shtetas të huaj, prej të cilave 3,974 për qëllime punësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane të menaxhimit të migratëve.

Ajo që është shumë e rëndësishme që ka nxjerrë raporti, është edhe  orientimi  strategjik i Qeverisë së Kosovës, të cilët e konfirmojnë edhe orientimin e qartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt integrimit euro-atlantik, ku është konstatuar nivel i lartë besimi në anëtarësimin në Bashkimin Evropian me  (71.0%) dhe veçanërisht anëtarësimin në NATO me (90.8%)”, thotë MPB-ja.

Ministria e Punëve të Brendshme thotë se mbetet e përkushtuar për të thelluar edhe më tej reformat në sektorin e sigurisë, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të garantuar siguri dhe barazi për të gjithë qytetarët.

Të Ngjashme