Aktuale

Muço: Konflikti në Lindjen e Mesme do të godasë xhepat e shqiptarëve, ja çfarë pritet të ndodhë

Konfliktet e reja në Lindjen e Mesme, me në epiqendër Iranin dhe ngushticën strategjike të Hormuzit, kanë ndezur alarmin në tregjet ndërkombëtare, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës.

Kjo situatë delikate, sipas ekspertit të ekonomisë, Klodian Muço, kërcënon të krijojë një efekt zinxhir që do të ndihet fuqishëm edhe në xhepat e qytetarëve shqiptarë, duke shtrenjtuar jo vetëm karburantin, por koston e jetesës në tërësi.

Sipas analizës së Muços gjatë një interviste për “Ora News”, thelbi i problemit qëndron te ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe detare ku kalon rreth 50% e naftës së prodhuar në Lindjen e Mesme.

Çdo paqëndrueshmëri apo bllokim në këtë zonë reflektohet menjëherë në bursat ndërkombëtare, duke rritur çmimet. Kjo, tha ai, godet në mënyrë të drejtpërdrejtë vendet evropiane, të cilat janë masivisht të varura nga importet e naftës prej kësaj zone.

Përkeqësimi i situatës vjen në një kohë kur Evropa ende përballet me pasojat e embargos ndaj naftës ruse, duke e bërë kontinentin edhe më të prekshëm.

Ndonëse Shqipëria nuk importon direkt nga Lindja e Mesme, ajo furnizohet me naftë të përpunuar nga vende si Italia dhe Greqia, të cilat e blejnë atë në tregjet ndërkombëtare të ndikuara nga kriza. Si pasojë, rritja e çmimeve ka filluar të ndihet edhe në tregun vendas, ku është vërejtur një shtrenjtim i karburantit me rreth 20 lekë për litër. Eksperti Muço thekson se shpesh tregtarët vendas përfitojnë nga këto situata për të rritur çmimet përtej nivelit real, duke rënduar më tej barrën mbi konsumatorët.

Por ndikimi nuk ndalet vetëm te çmimi i karburantit. Rritja e kostos së naftës shkakton një efekt domino në të gjithë ekonominë. Së pari, ajo godet logjistikën dhe transportin, duke shtrenjtuar çdo produkt që importohet dhe shpërndahet në vend. Së dyti, ndikon në çmimin e energjisë, pasi kostoja e naftës është e lidhur me atë të gazit, duke rritur potencialisht edhe faturat e energjisë elektrike. Këto dy elemente së bashku çojnë në një rritje të përgjithshme të çmimeve për të gjitha produktet dhe shërbimet, duke ushqyer inflacionin.

Në këtë skenar global, ku SHBA si një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës mbetet më pak e prekur, Evropa dhe vende si Kina janë në vijën e parë të goditjes. E ardhmja mbetet e paqartë, por ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të shndërrohet në një krizë globale. Një zgjidhje e mundshme, ndonëse afatshkurtër, mund të ishte një rishikim i qëndrimit evropian ndaj naftës ruse për të stabilizuar tregun, por për momentin, familjet shqiptare duhet të përgatiten për një periudhë me kosto më të lartë jetese.

Të Ngjashme