Juristi dhe veprimtari i njohur Muhamet Kelmendi ka bërë një thirrje publike drejtuar deputetëve të Kuvendi i Kosovës dhe liderëve të partive parlamentare për të tejkaluar ndasitë politike dhe për të votuar Ramush Haradinaj për President të Republikës së Kosovës.
Në reagimin e tij, Kelmendi thekson se “sot nuk është koha për kalkulime politike, por për përgjegjësi historike”, duke kërkuar që spektri politik të bashkohet rreth një figure që, sipas tij, mishëron sakrificën, guximin dhe përkushtimin ndaj atdheut.
Ai u është drejtuar drejtpërdrejt liderëve kryesorë politikë, përfshirë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që të mbështesin kandidaturën e Haradinajt.
Sipas Kelmendit, Haradinaj është një nga figurat emblematike të luftës çlirimtare dhe një “hero i gjallë” që nuk u tërhoq në ditët më të errëta të historisë së vendit. Ai rikujton se familja e tij dha tre djem për lirinë e Kosovës, sakrificë që, sipas tij, përbën një amanet kombëtar që nuk duhet harruar.
Postimi i plotë:
THIRRJE PËR NDËRGJEGJEN KOMBËTARE Sot nuk është koha për kalkulime politike. Sot është koha për përgjegjësi historike. I bëj thirrje deputetëve të Kuvendi i Kosovës dhe liderëve të partive parlamentare – Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – të tejkalojnë ndasitë dhe të votojnë për zgjedhjen e Ramush Haradinaj President të Republikës së Kosovës. Kosova ka nevojë për një President që mishëron sakrificën, guximin dhe përkushtimin ndaj atdheut. Ramush Haradinaj është një nga figurat emblematike të luftës çlirimtare – një hero i gjallë që nuk u tërhoq në ditët më të errëta të historisë sonë.
Familja e tij dha tre djem për lirinë e Kosovës. Ky është një amanet që nuk mund të harrohet. Ai nuk është vetëm simbol i luftës – është edhe figurë e sprovuar shtetërore. Si ish-Kryeministër, ai ka marrë vendime të vështira në mbrojtje të sovranitetit dhe dinjitetit të Republikës. Ka përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare me qëndrime të qarta dhe të palëkundura. Presidenti duhet të jetë zëri i unitetit kombëtar.
Duhet të jetë garant i Kushtetutës dhe mbrojtës i interesit shtetëror. Duhet të jetë figurë që frymëzon besim – brenda dhe jashtë vendit. Sot kërkohet guxim politik për të bërë zgjedhjen e duhur. Sot kërkohet vendim që i shërben Kosovës, jo partive. Le ta dëshmojmë se dimë të bashkohemi kur është fjala për shtetin.
Le ta nderojmë sakrificën me vendim të drejtë. Le ta vendosim Kosovën mbi gjithçka. 🇽🇰 Për unitet. 🇽🇰 Për dinjitet. 🇽🇰 Për Kosovën. Per z.RMUSH HARADINAJ President!
