Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku në fokus të takimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Muja u takua me homologun e tij, ministrin Borçe Serafimovski, zëvendësministrin Albrim Hoxha dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore.
Në takime u diskutua për rritjen e bashkëpunimit bilateral, intensifikimin e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore e ushqimore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua sigurisë ushqimore, ku palët shqyrtuan mundësitë për harmonizimin e procedurave të kontrollit dhe certifikimit, shkëmbimin e informacionit dhe forcimin e komunikimit ndërmjet autoriteteve kompetente.
Në fokus ishin edhe kontrollet zyrtare në pikat kufitare dhe në tregun e brendshëm, gjurmueshmëria e produkteve, si dhe koordinimi në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve që mund të cenojnë shëndetin e konsumatorëve.
Gjatë takimeve u shkëmbyen gjithashtu përvoja për politikat e mbështetjes së fermerëve, zhvillimin rural dhe modernizimin e prodhimit bujqësor. Palët diskutuan edhe për përafrimin e politikave sektoriale me standardet dhe politikat e Bashkimit Evropian, përfshirë Politikën e Përbashkët Bujqësore.
Muja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve për krijimin e kushteve më të mira për fermerët dhe bizneset, rritjen e tregtisë së ndërsjellë dhe garantimin e standardeve të larta të sigurisë ushqimore.
Në këtë vizitë, ministri Muja u shoqërua nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, dhe drejtoresha e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Venera Çerkini.
Vizita synon të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe rajonal, rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve bujqësorë dhe avancimin e proceseve të përafrimit me standardet evropiane.
