
Në mungesë të dëshmitarit, Skender Muqolli ka dështuar mbajtja e seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KosovaPress.
Skender Muqolli i cili mban pozitën e udhëheqësit të Departamentit të Tregut të Energjisë pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji nuk u paraqit në seancë për shkaqe shëndetësore.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se në rast në mungesë të dëshmitarit nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës.
Ai tha se nëse dëshmitari Muqolli nuk arrin ta arsyetoj mungesën me dokumentacion mjekësor ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.
“Ka dërguar një e-mail sqarues në lidhje me mos paraqitjen e tij, por deri tani ende nuk ka arsyetim me dokumentacion mjekësor. Kjo e-mail përmban arsyetimin se i njëjti është i sëmurë dhe nuk pas mundësi të paraqitet në seancë. Po ashtu, gjykata ka kontaktuar me dëshmitarin, njëjtë ka pohuar edhe në telefon. Konstatoj se nuk janë plotësuar parakushtet për fillimin e shqyrtimit gjyqësor. Gjykata merr aktvendim, shqyrtimi gjyqësor shtyhet… Ndërsa për dëshmitarin Skender Muqolli do të vendohet më vonë varësisht nëse i njëjti arsyeton mungesën përmes dokumentacionit mjekësor në të kundërtën ndaj të njëjtit do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim përmes Policisë së Kosovës”, tha ai.
Seanca e radhës në këtë rast do të mbahet më 16 tetori 2025 nga ora 09:30.
Në seancën fillestare i akuzuari Nagip Krasniqi është deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzë së Prokurorisë Speciale të Kosovës ish-kryeshefi i KE-ut, Nagip Krasniqi akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.