Lajme

Murati: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në kundërshtim me Kushtetutën

Hekuran Murati ka reaguar pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, duke thënë se ai është në kundërshtim me Kushtetutën.

Murati tha se këshilltarë nga kabineti i Vjosa Osmani kanë shpërndarë një pjesë të shkëputur të një deklarate të tij të 25 dhjetorit të vitit të kaluar për ta përdorur si argument juridik në mbështetje të dekretit.

Sipas tij, deklarata e tij i referohej situatës kur pas tre raundeve të votimit për president asnjë kandidat nuk merr 61 vota, çka sipas Nenit 86 (6) të Kushtetutës çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve.

Reagimi i Muratit:

Këshilltarë nga kabineti i Presidentes Osmani paskan shpërndarë një pjesë të shkëputur të një deklarate timen të bërë me 25 dhjetor të vitit të kaluar, si argument ku e kanë mbështetur dekretin e shpërndarjes së Kuvendit.

Sado që ndjehem i nderuar që deklarata ime qenka marrë si referencë juridike nga kabineti i Presidentes, më duhet ta sqaroj përsëri që deklarata ime vlen për situatën ku pasi janë zhvilluar 3 raunde votimi dhe asnjë kandidat nuk ka marre 61 vota, shpërndahet Kuvendi dhe shkohet në zgjedhje, sipas Nenit 86 (6) të Kushtetutës.

Mirëpo dekreti i lëshuar dje nuk është marrë mbi bazën e Nenit 86 (6), por mbi bazën e Nenit 82 (1.3).

E Neni 82 (1.3) i jep 60 DITË afat që nga nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit, para se të shpërndahet Kuvendi. Prandaj në mënyrë që dekreti të qëndronte, NUK do duhej të merrej në ditën e dytë, por tek pasi të ishin konsumuar 60 ditë, siç e përcakton Kushtetuta.

Kësisoj, dekreti është në shkelje të Kushtetutës.

PS. Ja se si do të dukej dekreti nëse do të ishin plotësuar kushtet për t’u shpërndarë Kuvendi dje, ashtu siç kam deklaruar me 25 dhjetor (por ja që nuk jemi në atë situatë) 👇.

Të Ngjashme