
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka akuzuar partitë që deri tani ishin në opozitë për një qasje bllokuese sistematike, sa i përket ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ai pas dështimit të seancës konstituive për herë të 36-të, tha se janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikim nga Kuvendi e që rrezikojnë t’i merren Kosovës si rezultat i moskonstituimit të Kuvendit.
Këto mjete, sipas Muratit do të jenë me kamatë zero për qind (0%), po presin për ratifikim nga maji i vitit të kaluar dhe nëse marrëveshja për to nuk ratifikohet deri në shtator, mund t’i jepen një shteti tjetër.
Murati: Opozita ka një qasje bllokuese ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare
“Moskonstiutimi i Kuvendit do të gjenerojë edhe pasoja. Sot e shpalosa njërën nga ato, marrëveshjen me Bankën Botërore që prej muajit maj pret ratifikimin në Kuvend. kjo e dëshmon se nuk bëhet fjalë vetëm për një emër të përveçëm siç pretendon opozita por bëhet fjalë për një bllokadë sistematike, qysh edhe gjatë legjislaturës së kaluar kur refuzonin ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare….Janë mbi 90 milionë euro me Bankën Botërore dhe marrëveshje tepër e favorshme që se ka asnjë shtet tjetër në rajon. Kosova falë qeverisë për të bërë reforma ka përfituar nga ajo marrëveshje. Bëhet fjalë për 90 milionë euro me zero për qind kamatë”, tha ai.