Lajme

Murati, Hamzës: Rritja ekonomike u ndikua nga ngërçi politik

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur Bedri Hamzës pasi ky i fundit përmendi raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë adresimit të tij në seancën e sotme të Kuvendit.

Murati, theksoi se rritja ekonomike prej 3.6% në vitin e kaluar ka ardhur si pasojë e ngërçit politik dhe mosfunksionimit të plotë të institucioneve gjatë vitit 2025.

“Sa i përket raportit të FMN-së, i nderuar zotëri Hamza, po, është e vërtetë që vitin e kaluar rritja ekonomike është përllogaritur të jetë 3.6%. Por kjo, edhe sipas raportit të konfirmuar, është për shkak të mosfunksionimit të plotë të institucioneve. Siç e dini, gjatë gjithë vitit Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka qenë në funksion efektiv dhe ka pamundësuar shumë prej reformave, e madje edhe miratimin e shumë prej marrëveshjeve ndërkombëtare që do t’i jepnin impuls shtesë ekonomisë së vendit”, ka thënë Murati.

Ai ka bërë krahasim edhe me vitin 2018, kur Hamza ishte ministër i Financave. “Sa për krahasim, në vitin 2018 kur ju keni qenë ministër i Financave, pa asnjë krizë, me parlament funksional dhe qeveri funksionale, rritja ekonomike ka qenë vetëm 3.4%, pra më e ulët sesa ne që e kemi pasur kur ka pasur kuvend jofunksional”, u shpreh ai.

Murati ka kundërshtuar edhe pretendimet për mosrritje të pagave. “Sa i përket pagave, u tha që nuk janë rritur. E pavërtetë gjithashtu. Në sektorin publik pagat janë rritur 45%, duke mos llogaritur këtu edhe pagën e 13-të që sapo është dhënë. Ndërkaq paga minimale, nga niveli 170 euro që e kemi gjetur, aktualisht është 425 euro dhe në korrik të këtij viti bëhet 500 euro. Pra, trefishim gati i pagës minimale në sektorin privat”, ka thënë Murati.

Të Ngjashme