Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Murati nuk tregon pse nuk pati marrëveshje me Nisma

 
   

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Hekuran Murati nuk ka treguar arsyen se pse nuk ka pasur marrëveshje me Nismën Socialdemokrate.

Ai tha se kreu i partisë Albin Kurti ka ofruar marrëveshje politike, por që kryeparlamentari i takon partisë fituese.

Murati ka ritheksuar se me votim të fshehur, disa deputetë do të votonin pro kryeparlamentarit, raporton KosovaPress.

Kështu u shpreh ai pas dështimit për konstituimit të Kuvendit, për çka u pyet se pse nuk u arrit marrëveshja me Nisma-n.

Murati: Ne kemi ofruar marrëveshje politike, nuk e di se çka ka qenë problemi

“Kjo pyetje vlen për zotëri Limajn dhe deputetët e NISMA-s. Sepse ne kemi ofruar marrëveshje politike. Nuk di se çka ka qenë problemi. Nuk e di se çfarë ka prishur. Kryeparlamentari i takon partisë fituese dhe është jo parimore që pozita e kryeparlamentarit të ndryshohet. Ne tashmë kemi dhënë propozimin tonë për pozitën e kryeparlamentarit dhe është zonja Albulena Haxhiu, por ajo çfarë kemi ofruar që ka qenë edhe kërkesë, është që të ketë një dakordim, marrëveshje politike edhe për qeverisjen, pra përtej kryesisë së kuvendit. Gjë që është ofruar, është bërë një ofertë nga kryeministri Kurti, por që nuk kemi marrë përgjigje pozitive nga zotëri Limaj. E arsyen pse, besoj se duhet ta pyesni atë”, deklaroi Murati.

Murati tha se nuk është testuar asnjëherë votimi i fshehtë, për çka sipas tij nuk u është dhënë mundësia disa deputetëve që të votojnë.

Murati: Deputetëve nuk iu dha mundësia për votim të fshehur, ka imponim nga lart

“Tani është hipotetike të thuhet sa, sepse nuk është testuar asnjëherë. Po të testohej së paku një herë, do ta shihnim, nëse do të kishte rezultat pozitiv, do të vazhdonim tutje me zgjedhjen e kryesisë dhe do të ishte punë e kryer kjo. Ne së paku ato që i dimë në publik, i kam thënë edhe sot paradite, është deputeti Lutfi Haziri, është deputeti Bekë Berisha, ka edhe deputetë tjerë që ndoshta ende nuk e kanë marrë guximin të deklarohen publikisht që do të votonin por që nuk po u jepet mundësia, sepse ka imponim nga lart nga subjektet e tyre politike”, shtoi ai.

Murati tha se në gjashtë raste e kanë provuar votimin e hapur por që “mbizotëruar linja e partisë dhe diktati nga lart”.

Murati: E kemi provuar gjashtë herë votimin e hapur

“Ne kemi provuar gjashtë herë votimin e hapur dhe gjashtë herë kanë pasur mundësinë të gjithë deputetët, 120 deputetë që të votojnë, të marrin pjesë me votën e tyre dhe të dilet nga ngërçi. Por që kemi parë që pavarësisht se edhe atëherë ka pasur vullnete individuale të deputetëve, ka mbizotëruar linja e partisë dhe diktati nga lartë që asnjë deputet të mos dalë nga vija partiake, prandaj edhe kemi propozuar votimin e fshehtë, i cili fatkeqësisht nuk ju dha rasti as edhe një herë të vetme të testohej. Sepse siç e dini ka pasur edhe kompromis tjetër të radhës që në qoftë se edhe një herë të vetme dështon votimi i fshehtë, marrin pjesë deputetët dhe dështon votimi i fshehtë, kandidatja jona zonja Albulena Haxhiu do të tërhiqej dhe do të ndërrohej kandidati”, përfundoi ai.