Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Murati shpërthen ndaj Gucatit: Shpifje monstruoze për babanë dhe vëllain tim

 
   

Ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër pas deklaratave të Hysni Gucatit, duke i cilësuar si “shpifje monstruoze”. Sipas Muratit, Gucati ka përsëritur deklaratën “Hekuran Murati, babën dhe vëllaun e ka spiun”.

Ai kujtoi se për këtë çështje tashmë ka dorëzuar padi, por shtoi se gjykatat nuk po e kryejnë punën e tyre.

Murati paralajmëroi se do ta bëjë mision personal futjen e shpifjes si vepër penale në Kodin Penal.

Ai theksoi se pretendimet për familjen e tij janë të pavërteta, duke sqaruar se babai i ndjerë ka punuar si mësimdhënës e më pas në fabrikën e vajit deri në largimin nga puna gjatë masave të dhunshme, ndërsa vëllai i tij ishte vetëm 5 vjeç në përfundim të luftës

Reagimi në Facebook:

Kjo shpifje monstruoze herën e parë është thënë sa e kisha babain gjallë, dhe sonte shpifja qenka përsëritur nga Hysni Gucati.

Për këtë çështje unë kam dorëzuar padi për shpifje. Por këta nuk duket se ndalen, sepse Gjykatat nuk e kryejnë punën e tyre.

Prandaj do të jetë mision i imi që në ndryshim/plotësimin e radhës të Kodit Penal, shpifja të përfshihet si vepër penale.

Nuk mund të pretendojmë se ka drejtësi kur shpifje të tilla me pasoja kaq të mëdha trajtohen vetëm në padi civile dhe dënimi shqiptohet pas sa e sa viteve.

I gjithë Ferizaji e din se babai im, tashmë i ndjerë, fillimisht kishte punuar si mësimdhënës në shkollën ekonomike në Ferizaj, e pastaj kishte punuar në fabrikën e vajit, deri në momentin kur të gjithë punëtorët ishin larguar nga puna si pasojë e masave të dhunshme, dhe prej asaj kohe kishte vazhduar si i papunë deri në çlirimin e vendit.

Kurse vëllau im ka lindur në vitin 1994, që i bie se deri në përfundimin e luftës ka pasur vetëm 5 vjet.

E kuptoj betejën politike, mirëpo do duhej të kishte disa vija të kuqe se deri ku mund të shkohet. Kjo është e papranueshme.