Në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë sjellë të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
Naim Murseli ka vazhduar të qëndrojë prapa narrativës së tij ku pretendon se në natën kritike dorasi kishte për qëllim grabitjen e gjësendeve me vlerë.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku ka ballafaquar me prova të akuzuarin Naim Murseli duke faktuar se viktima Liridona Ademaj në natën kritike kishte pasur stoli të arit (dy bylyzykë dhe një unazë), shkruan KlanKosova.tv.
Pas kësaj Murseli deklaroi para trupit gjykues se në momentin e grabitjes, grabitësi kishte kërkuar vetëm para dhe telefona.
“Këtë pyetje më ka bërë edhe prokurorja kur kam qenë në prokurori dhe po ju përgjigjem edhe juve: Në momentin e grabitjes të vetmen gjë që e ka kërkuar kanë qenë telefonat dhe paratë, nuk ka kërkuar gjë tjetër”, tha Murseli.
Murseli u përballë edhe me dëshminë e tij paraprake ku kishte thënë që fëmijët ishin larguar nga vetura nga e njëjta derë, teksa gjyqtarja nga paraqitja e provave e pyeti se si do kishte mundësi të ndodhte një gjë e tillë dhe të mos lëvizte lodra e fëmijëve.
“Nuk e di gjyqtare. Po të tregoj qysh ka ndodhë”, tha Murseli.
