Drejtori i institutit Octapus, Agim Musliu ka thënë sot se organizata serbe “Mbrojtja Civile” ka qenë në ‘listë të pritjes’ që të shpallet terroriste që në vitin 2013.
Musliu në një postim në Facebook shkruan se organizata tjetër, e quajtur “Severna Brigada” është shfaqur publikisht në vitin e kaluar.
Lexoni të plotë reagimin e njohësit të sigurisë:
Sipas informacioneve të siguruara nga Instituti OCTOPUS, organizatat “Civilna Zastita”, ka qenë në “listë të pritjes” që të shpallet terroriste që në vitin 2013. Organizata tjetër, e quajtur “Severna Brigada” është shfaqur publikisht në vitin e kaluar.
Lidhjet e tyre me Federatën Ruse, dhe veçmas me të ashtuquajturën “Qendra Humanitare Serbo-Ruse” në Nish (e cila është klasifikuar edhe nga institucione perëndimore si qendër e spiunazhit rus në Ballkan), janë të hershme.
Më 27 prill 2014, në aeroportin e Nishit, pikërisht kjo qendër e spiunazhit rus, i kishte dhuruar “Civilna Zastitas” 10 automjete të tipit “Lada-Niva”. Pranimin e kishin bërë Predrag Mariq (nga sektori për situata të jashtëzakonshme nga MPB e Serbisë), Vasa Jeliq (nga i ashtuquajturi qarku i Mitrovicës), Goran Rakiqi (si sih-kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore) dhe Stevan Paviçeviq (shef i tashmë organizatës terroriste “Civilna Zastita).
Në dhjetor të vitit të kaluar, pjesëtarë të armatosur “Civilna Zastita” në veri, të barrikaduar e me armë, ishin furnizuar nga kjo qendër e Nishit me pako të dyshimta.