Aktuale

Mykotoksinat një rrezik i padukshëm në tavolinat e shqiptarëve! Studimet zbulojnë nivele mbi normat e BE

Çdo ditë, shqiptarët ulen në tryezë me bindjen se ajo që konsumojnë është e sigurt. Misër, grurë, produkte që i konsiderojmë bazë të jetesës, por që në heshtje mund të jenë burim sëmundjeje. Një rrezik që nuk shihet me sy. Nuk ka erë. Nuk ka shije, por futet në trupin e njeriut çdo ditë, pak nga pak.

Mykotoksinat, toksina vdekjeprurëse të prodhuara nga kërpudha që zhvillohen në drithëra janë një kërcënim real për shëndetin publik. Studime zyrtare tregojnë se për vite me radhë se niveli i tyre në Shqipëri ka tejkaluar normat e Bashkimit Europian. Ndërkohë që kanceri po rritet, institucionet përgjegjëse ose nuk kontrollojnë, ose nuk kanë kapacitet të kontrollojnë.

Realiteti tregon laboratorë pa akreditim, analiza të dyshimta apo edhe tenderë me flamuj të kuq. Fatura që tregojnë miliona euro të shpenzuara jashtë vendit, ndërsa siguria ushqimore brenda vendit mbetet një iluzion. Kjo nuk është një histori frike. Është një histori faktesh, dokumentesh dhe përgjegjësish. Është historia e asaj që hamë çdo ditë dhe e asaj që shteti nuk po bën për të na mbrojtur.

TOKSINAT NË SOFRAT TONA

Mykotoksinat janë metabolite infektuese, të prodhuara nga një kërpudhë e caktuar, e cila infekton drithërat dhe produktet agrokulturore të ndryshme. Këto funge mund të shfaqen gjatë periudhës kohore në fushë, gjatë rritjes apo tharjes ose magazinimit të tyre.

Termi “Mikotoksinë” u përdor për herë të parë në vitin 1962, në një ngjarje veterinare në Angli. Në atë kohë, rreth 100 mijë zogj të gjelave të detit ngordhën, si pasojë e ushqimit të kontaminuar me këtë lloj kërpudhe. Këto shpendë në atë kohë ushqeheshin me kikirikë, të cilët përmbanin një lloj të caktuar të mykotoksinave, me origjinë nga Brazili.

Ndërkohë përgjatë dekadave, rritja e kërkesës së konsumit të lartë për ushqim, ngrohja globale etj., ndikuan në përhapjen më të shumtë në të gjithë botën dhe deri më sot mbeten të rrezikshme për njerëzit dhe kafshët.

Llojet kryesore të mykotoksinave janë aflatoksinat, të cilat lidhen si me toksicitetin, ashtu edhe me kancerogjenitetin te popullata njerëzore dhe ajo shtazore. Sipas raportit të vitit 2014 të Departamentit të Kimisë Industriale, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Tiranë, janë elementë të tillë, të cilët nëse përdoren për një kohë të gjatë, në mënyrë akute ato shkaktojnë dobësim të imunitetit, si dhe kancer.

“Na rezulton që, sidomos fëmijët në moshë të vogël, janë më të rrezikuar nga ekspozimi i këtyre produkteve”, tregon për “Vetting” Dritan Topi, një nga studiesit e raportit.

Raporti tregon se mëlçia është organi më i sulmuar nga këto efekte, duke shkaktuar nekrozë, cirozë dhe karcinoma. Sidomos AFB1, e cila klasifikohet nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime për Kancerin si kancerogjen i grupit të parë.

Lloje të tjera përfshijnë toksinat e “Fusariumit”, “Ochratoxin A”, e cila është e zakonshme në drithëra dhe kafe, si dhe alkaloidet e ergotit. Duhet patur diçka parasysh, pasi këto kontaminantë ushqimorë janë të natyrshëm, nuk mund të zhduken plotësisht, por mund të mbahen nën kontroll.

Ndërkohë studimi i vitit 2014 nga ku u morën mostra para korrjes nga zona e Lushnjës dhe Fierit, nxori në pah se këto mykotoksina u gjendën në mostrat e misrit dhe të grurit, duke tejkaluar normën e lejuar nga Rregullatori i Bashkimit Europian.

Nëse rregullorja 1881/2006 dhe 165/2010 e Bashkimit Europian e lejon kufirin deri në dy mikrogram për kilogram (2 µg/kg) për grurin dhe deri në 5 µg/kg për misrin, në Shqipëri për misrin ishte gati 75 µg/kg dhe afërsisht 144 µg/kg për grurin. Kështu, në atë kohë rezultonte se këto drithëra të kontaminuara përbënin një rrezik të lartë për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve.

Këto mykotoksina zhvillohen më lehtë kur ka lagështi të lartë dhe temperatura të ngrohta, drithërat mund të kenë dëmtime mekanike ose nga insektet ose kur magazinimi nuk është kryer në mënyrën e duhur.

“Ndërhyrja duhet të jetë kapilare, për të rritur shkallën e survjenacës dhe monitorimit dhe për të ulur, pra nivelin ekontaminimit, i cili është I pasmangshëm, për shkak të pozicionit gjeografik të vendi, për shkak të parashikimeve dhe ndryshimeve klimatike, kështu që, ne na ngelet që të forcojmë kapacitetet, të rrisim kapacitete e specialistëve, infrastrukturat laboratorike”, thotë më tej profesori Topi.

Megjithatë, studimet nuk ndaleshin këtu. Departamenti i Kimisë u rikthye në vitin 2022, duke mbledhur mostra të tjera në Durrës, Elbasan, Fier, Kavajë dhe gjatë kohës së periudhës së korrjes.

Analizat e tyre zbuluan praninë e kërpudhave si “Penicillium” në gati 78%, “Fusarium” në 75%, “Aspergillus” në afërsisht 73% dhe kërpudha të tjera në masën e gati 14% të kontaminimit. Incidenca më e lartë në misër u vu re në “Penicillium” ishte gjinia më e përhapur, së bashku me kërpudhat e tjera. Ndërsa kontaminimi me AFB1, një nga aflatoksinat më të rrezikshme të mikotoksinave rezultoi deri në 88%, ku niveli maksimal arriti në 69 µg/kg. Ndërsa gruri kishte nivele më të ulëta të kontaminimit me këtë mikotoksinë.

Studimi thekson se ekspozimi i popullsisë maxhorene ndaj AFB1 lidhet kryesisht me konsumimin e misrit, edhe pse konsumi mesatar ditor i misrit, i cili mbetet përafërsisht 5 gr/ditë, është shumë i ulët se ai i grurit, 345 g/ditë.

Sipas ekspertëve të studimit, aflatoksinat janë të përfshira në 95% të njoftimeve për refuzime në kufi në Bashkimin Evropian gjatë periudhës 2011-2021, çka tregon rëndësinë globale të këtij problemi.

“Produktet e importit, pra rezultojnë të kontaminuara, por gjithmonë rezultojnë në nivelin e lejuar sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian, i cili është shumë strikt. Kjo tregon që ata janë gjatë gjithë kohës, prodhuesit janë të monitoruar dhe në këtë mënyrë, pra produkti është i lejueshëm për të kaluar në treg”, thotë më tej studiuesi Dritan Topi.

Megjithatë ekspertët ende këmbëngulin të ngrenë alarmin rreth rrezikut të rritjes së numrit të individëve të prekur nga kanceri për shkak të ndikimit të dietës ushqimore. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, vetëm për vitin 2022 është vënë re një incidencë prej 229 të prekur nga tumoret për 100 mijë banorë. Ndërkohë që për vitin 2023, ishin evidentuar rreth 6700 raste të reja, duke ardhur gjithmonë e në rritje, sipas Regjistrit për Sëmundjet Tumorale.

“Raportimet e Institutit të Shëndetit Publik për incidencën e kancerit në Shqipëri është shumë herë më e ulët se mesatarja evropiane e raportuar. Tani janë dy gjëra: tani ose jemi një popullatë e cila nuk bëjmë kancer, kjo për arsye gjenetike, epigjenetike, sociodemografike, të lidhura me stilin e jetesës, qoftë edhe kulturore, ose është një rrugë shumë e thjeshtë që Regjistri i Kancerit nuk ka mbulimin e duhur në Shqipëri dhe rastet nuk raportohen siç duhet” thotë për “Vetting”, mjekia onkologe Klejdia Mati.

Ekspertët shtojnë se duhen kryer më shumë kontrolle përsa u përket bazave ushqimore për njerëzit dhe për kafshët, si edhe kontrolleve administrative pasi ata vënë re se institucionet përgjegjëse nuk tregohen të rregullt me raportet.

“Topi është në fushën e institucioneve përgjegjëse, ata që marrin vendime, ata që orientojnë fondet e kërkimit shkencor, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë të konsiderueshme por atje ku orientohen, nuk orientohen me prioritete por orientohen në mënyrat që ata vendosin në ato rrethet e ngushta vlerësuese. Ndërkohë që njerëzit orientohen drejt QSUT-së”, komenton studiuesi Dritan Topi./ Emisioni Vetting

Të Ngjashme