Është zhvilluar sot në Gjykatën e Posaçme seanca e gjyqësore për operacionin e njohur si “Plumbi i Artë”, ku po shqyrtohen provat shkresore kundër të pandehurve të përfshirë në vrasje, tentativa vrasjesh dhe shkatërrim prone me eksploziv, të ardhura nga autoritetet franceze.
Prokurorja Doloreza Musabelliu lexoi provat shkresore të dosjes, duke përfshirë identifikimin e llogarive të Sky të përdorura nga Nuredin Dumani, si dhe të të pandehurve të tjerë, mes të cilëve Henrik Hoxhaj, Aldo Baho, Erjon Alibej, Armand Tragaj, Arjan Saliu (i vrarë), Festim Qoli.
“Nga këto porosi kemi identifikuar kodet e Sky që disponoheshin nga Nuredin Dumani”, u shpreh prokurorja në tre raste.
Në këto biseda flitet për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdia, për planet për të vrarë Indrit Doklen dhe për vrasjen e Emiliano Ramazanit.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se SPAK lexoi gjithashtu procesverbalët për shkatërrimin me eksploziv të banesës së Talo Çelës dhe vrasjen e Fatmira Dedjes. Mes procesverbalëve, u lexuan edhe dokumente lidhur me ngjarje si ajo kundër Sanxhaktarit dhe dy vëllezërve Haxhia.
“Ju vendosim në dispozicion gjithashtu procesverbalë dhe provat shkresore mbi të gjitha faktet penale që fillojnë në faqen 174, duke nisur nga sigurimi i kushteve për të vrarë Elton Kilën dhe njëkohësisht tentativat për të vrarë Nuredin Dumanin”, tha Prokurorja Doloreza Musabelliu.
Në këto përfshihen ekzaminimet e vendngjarjes, si dhe procesverbalët e dëshmive të bashkëpuntorit. Para se seanca të niste, i pandehuri Asllan Plaku akuzoi sërish prokurorin Behar Dibra se e kishte arrestuar pa prova dhe se, sipas tij, Nuredin Dumani nuk kishte bërë asnjë rrëfim.
Gjatë leximit të provave shkresore ndërhyri avokatja e Altin Ndocit, i cili është arratisur, teksa kryente vizitë mjekësore në Spitalin e Durrësit. Avokatja Elda Zotaj kërkoi që gjykata t’i detyronte SPAK-un të vendoste në dispozicion CD-të nga autoritetet franceze, si dhe PIN-kodet dhe të dhëna të tjera që lidhen me Sky, për të verifikuar çdo provë që i ngarkohet Ndocit.
“Nuk ka arsye që këto të përdoren në këtë gjykim,” tha avokatja. “Procesverbalë të Sky për disa persona që nuk janë në këtë gjykim janë të veçuar. Ne kërkojmë nga kjo gjykatë që t’i kërkojë SPAK-ut të na vendosë në dispozicion CD-të e ardhura nga autoritetet franceze për parimin e zbulimit të së vërtetës.
I kërkojmë gjykatës të kërkojë nga prokuroria nëse kanë evidentuar PIN-kodet apo ndonjë tjetër terminologji që përdoret për Sky të shtetasit Altin Ndoci, dhe për çdo fakt penal që i ngarkohet për vrasjen e Andi Zylyfit. Na vendosni në dispozicion ato PIN-e, specifikisht CD-të, pra çfarë ka marrë prokuroria nga autoritetet franceze.
Me gjithë dëshirën për të besuar prokurorinë, ne kemi të drejtën të verifikojmë dhe të ndjekim kontradiktoritetin, jo të na sjellin emailet me një shtet tjetër. Ne duam provën konkrete”, ka thënë ajo.
Në gjyqin e “Plumbit të Artë”, ka pasur edhe debatet me tone të larta mes prokurorit Behar Dibra dhe avokates së Altin Ndocit.
“Kërkesa dhe deklarata që thoni se ne kemi fshehur prova nuk është e vërtetë. Nuk ka fshehje prove. Nëse nuk është sjellë, do ta sjellim”, ka thënë prokurori Dibra.
Ndërkohë, avokatja Elda Zotaj tha: “Po e keni fshehur, pse nuk i sillni provat? Apo ke frikë se je brenda? Nëse nuk ke gjë për të fshehur, sill provat”.
Mësohet se Gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu procesin për në datën 3 mars 2026.
