NATO po lëviz drejt një “kompromisi të drejtpërdrejtë” mbi mosmarrëveshjet midis aleatëve në lidhje me Groenlandën, tha të dielën një zyrtar i lartë i aleancës.
Gjeneral-lejtnant Remigijus Baltrenas, drejtor i përgjithshëm i Shtabit Ushtarak Ndërkombëtar të NATO-s, i tha transmetuesit publik të Lituanisë LRT se konsultimet janë duke vazhduar brenda aleancës dhe po ndihmojnë në ndërtimin e “mirëkuptimit dhe pragmatizmit më të madh”.
“Kjo është, para së gjithash, një çështje e marrëdhënieve dypalëshe midis dy shteteve”, tha Baltrenas, duke shtuar se diskutimet e udhëhequra nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe ambasadorët e shteteve anëtare po përparonin “në një drejtim pozitiv”.
Ai tha se çdo zgjidhje e mundshme duhet të përfitojë “aleancën në tërësi, për Evropën dhe për vetë Shtetet e Bashkuara”, shkruan Anadollu Agency.
Baltrenas theksoi se NATO tashmë ka një prani të konsiderueshme në Arktik, duke përfshirë ushtrime të rregullta ushtarake që përfshijnë forcat amerikane dhe kanadeze në kuadër të NORAD, disa prej të cilave janë zhvilluar në Groenlandë.
“Tensionet aktuale politike nuk patën ndikim në ato stërvitje, as në ushtrimet e tjera rutinë”, tha ai, duke vënë në dukje se Danimarka kohët e fundit ngriti mundësinë e një misioni të NATO-s në Grenlandë.
Ai tha se Arktiku është bërë gjithnjë e më strategjik për shkak të interesit të Rusisë dhe Kinës për Rrugën Detare Veriore, dhe se Suedia dhe Finlanda, anëtarët më të rinj të NATO-s, tani janë integruar plotësisht në planet rajonale të mbrojtjes të aleancës.
Lidhur me Ukrainën, Baltrenas tha se ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mbi garancitë e sigurisë pas luftës pas takimeve të fundit të të ashtuquajturit “koalicion i të vullnetshmëve”.
“Ajo që është e qartë është se vetë forcat e armatosura të Ukrainës janë garantuesi kryesor i sigurisë”, tha ai.
Mes debatit në rritje në Evropë rreth autonomisë strategjike, Baltrenas theksoi se NATO duhet të mbetet gurthemeli i mbrojtjes kontinentale, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të përqendrohet në mjetet ekonomike dhe politike.
Baltrenas tha gjithashtu se shpenzimet e mbrojtjes janë rritur ndjeshëm në të gjithë aleancën, duke kujtuar një vendim në samitin e Hagës për të synuar buxhete deri në 5% të PBB-së.
“Të gjithë anëtarët tani e kanë tejkaluar minimumin prej 2%”, tha ai, duke vënë në dukje se Lituania dhe shtetet e tjera baltike janë tashmë mbi 5%.
