“Beteja e gjinive” ka përfshirë edhe trurin – dhe këtë herë shkenca ështe mbështetetur në imazhe MRI.
Ndërsa truri i njeriut tkurret natyrshëm me kalimin e moshës, një studim i ri tregoi se ky proces nuk ndodh njësoj tek të dyja gjinitë.
Pas analizimit të më shumë se 12,000 skanimeve të trurit, të kryera te rreth 4 700 individë të moshës 17 deri në 95 vjeç, studiuesit e Universitetit të Oslos zbuluan se burrat humbasin indin e trurit më shpejt se gratë.
Diferenca nuk ishte e madhe, por rezultoi konstante në disa zona të trurit, veçanërisht në ato që lidhen me kujtesën, ndjeshmërinë ndaj prekjes dhe shikimin.
Duke marrë parasysh faktin që burrat kanë, mesatarisht, tru më të madh, korteksi cerebral mashkullor — shtresa e jashtme e trurit përgjegjëse për arsyetimin dhe perceptimin — shfaqi rënie më të theksuara.
Në kontrast, truri i grave ndryshonte më ngadalë.
Një përjashtim ishte hipokampusi, struktura kyçe për të mësuarit dhe formimin e kujtimeve, i cili u tkurr me ritëm të ngjashëm tek të dyja gjinitë.
Megjithatë, kur u mor parasysh jetëgjatësia, rënia e aftësive njohëse tek gratë fillonte më vonë në jetë.
Këtu lind edhe paradoksi shkencor: nëse truri i burrave tkurret më shpejt, pse gratë kanë pothuajse dyfish më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit?
Studimi i ri, i botuar në revistën prestigjioze PNAS, sugjeron se përgjigjja nuk lidhet thjesht me madhësinë apo vëllimin e trurit.
Faktorë si hormonet, gjenetika dhe stili i jetesës duket se luajnë një rol vendimtar.
Për shembull, ulja e estrogjenit pas menopauzës mund të ndikojë në mënyrën se si proteinat e dëmshme grumbullohen në neurone, ndërsa disa variante gjenetike, si APOE ε4, mund të veprojnë ndryshe tek gratë sesa tek burrat, transmeton ATSH.
Studimi nxjerr në pah gjithashtu një mangësi të rëndësishme në kërkimin neuroshkencor: vetëm një pjesë e vogël e studimeve mbi plakjen e trurit e konsiderojnë gjininë si faktor analizues.
Autorët theksojnë se mbyllja e këtij hendeku është thelbësore, jo vetëm për të kuptuar se si truri dobësohet me kalimin e viteve, por edhe për të zbuluar mekanizmat që e ndihmojnë atë të mbetet rezistent dhe i adaptueshëm gjatë gjithë jetës.
