Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës, të arrestuar në aksionin e sotëm, janë ndaluar për 48 orë.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, e cila ka thënë se janë sekuestruar edhe telefona si provë, raporton KosovaPress.
“Pas aksionit te zhvilluar nga Prokuroria Themelore ne Prishtine, prokurori i shtetit ka marr aktvendim për ndalimin e tre personave të cilët kane kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 te KPRK-se dhe “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421 te KPRK-se. Po ashtu janë sekuestruar edhe telefona si prove e cila do të shërbejë në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës hetimore. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do te parashtroje kërkesë me shkrim gjykatës kompetente për caktimin e ndonjë prej masave ndaj të dyshuarve”, ka thënë Shala për KosovaPress.
Tre zyrtarë komunal në Komunën e Prishtinës janë shoqëruar në Policinë e Kosovës nën dyshimet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe veprës penale “Marrje ryshfeti”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se gjatë aksionit të sotëm është arrestuar në flagrancë edhe personi me inicialet A.G, i cili dyshohet për veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Gjatë ditës së sotme, po ashtu KosovaPress ka kontaktuar Zyrën për Media të Komunës së Prishtinës për të marrë detaje të tjera rreth këtij aksionit, por të njëjtit kanë thënë se nuk deklarohen rreth kësaj çështje.
Ndërkaq, pas aksionit ka reaguar i pari i Prishtinës, Përparim Rama, me shprehjen”Askush mbi ligjin”. Ku ndër tjera ka thënë se Komuna e Prishtinës mbetet e hapur për çdo proces verifikimi apo veprimi procedural në frymë bashkëpunimi me organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Ky aksion është zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë.
