Lajme

Ndalohet një qytetar i Kosovës në Serbi, avokati Koci jep detaje

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se një tjetër shtetas i Kosovës është ndaluar nga autoritetet serbe.

Sipas tij, Mentor Mustafa (44 vjeç) nga fshati Jasenovik i Komunës së Novobërdës është ndaluar mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:30, në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës.

Bazuar në deklarimin e vëllait të tij, Fejzullah Mustafës, autoritetet serbe kanë thënë se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar.

Koci bëri të ditur se është njoftuar për rastin pas mesnate dhe se ka nisur menjëherë angazhimin për sqarimin e rrethanave dhe ofrimin e ndihmës juridike, duke theksuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të rastit.

Postimi i plotë:

Edhe një qytetar i Kosovës i ndaluar nga autoritetet serbe

INFORMATË PËR PUBLIKUN

Mbrëmë, rreth orës 22:30, në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, është ndaluar nga autoritetet kufitare serbe shtetasi i Republikës së Kosovës, Mentor Mustafa (44 vjeç), nga fshati Jasenovik, Komuna e Novobërdës.

Në momentin e ndalimit, ai ishte duke udhëtuar me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën.

Sipas deklarimit të vëllait të tij, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ndalimit, autoritetet serbe i kanë bërë me dije se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar.

Informatën për këtë rast e kam pranuar pas mesnate.

Menjëherë pas njoftimit, kam filluar të angazhohem për sqarimin e rrethanave të ndalimit dhe për t’i ofruar ndihmën e nevojshme juridike. Do të vazhdoj të ndërmarr të gjitha veprimet që janë në kompetencën dhe mundësitë e mia për të ndihmuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij rasti.

Asnjë shtetas i Kosovës nuk duhet të ndihet i vetëm kur përballet me probleme jashtë vendit. Për aq sa kam mundësi, do të jem pranë qytetarëve tanë dhe do të angazhohem për t’u ofruar ndihmën e nevojshme.

Të Ngjashme