Aktuale

Ndërtimi i parkut fotovoltaik në Lushnjë! Banorët përplasen me Policinë, Braçe: Po grabitet toka publike, janë kërcënuar me jetë

banorët e fshatit Imshtë të njësisë Bubullimë në Lushnjë kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një parku fotovoltaik në zonë. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka ndarë pamjet nga protesta, duke denoncuar se po ndodh një grabitje e tokës publike për ndërtimin e këtij parku.

Sipas Braçes, toka në fjalë shtrihet nga buza e lumit Seman deri te argjinatura dhe ligji “Për burimet ujore” e përcakton qartë si tokë lumi, pra tokë publike, të patjetërsueshme dhe të paparashkrueshme. Në pamjet e ndara shihet shihet përballja e anorëve me një person që u drejtohet bujqëve “boll bërtitët”, për të cilin deputeti thotë se është “agai i ri” që synon të ndërtojë panele fotovoltaike në këtë zonë.

Braçe thekson se, sipas ligjit, toka është pronë e shtetit dhe çdo veprim për ta përvetësuar përbën grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë. Deputeti njofton se prej një viti e gjysmë e ka kallëzuar çështjen në Prokurori dhe se javën e kaluar ka konfirmuar në Prokurorinë e Fierit që ajo është ende nën hetim dhe në fazën e dytë të veprimeve hetimore.

Postimi i plotë i Erion Braçes në Facebook:

“Lushnjë, njësia Bubullimë, fshati Imshtë Grabitje e tokës publike live! Habia e madhe? Bujqit po mbrojnë tokën publike, policia vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës! Ky që shihni në video, që ju bërtet bujqve e ju thotë “boll bërtitet” është agai i ri që do të ndërtojë panele fotovoltaike mu në këtë tokë! Ç’ është kjo tokë? Është një sipërfaqe toke nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë. Është kjo mbi të cilën po rrijnë bujqit. Ç’thotë ligji?

Ligji “Për burimet ujore” përcakton qartë se kjo tokë është “tokë e lumit” pra tokë publike e pa tjetërsueshme dhe paparashkrueshme! Një rrjesht i gjatë institucionesh publike janë përfshirë në grabitjen e kësaj toke dhe kanë shkelur kriminalisht ligjin. Një vit e gjysmë më parë, si deputet i këtyre njerëzve, kam kallëzuar në prokurori gjithkënd; javën që shkoi konfirmova në Prokurorine e Fierit se çështja është nën hetim dhe janë në valën e dytë të kryerjes së veprimeve hetimore. Pyetja që kam tani është e qartë: kur çështja është nën hetim në Prokurorinë e Fierit, ç’punë ka Policia e Lushnjës në krah të një personi që kërkon të përfundoje grabitjen e tokës nga një farë bilbili?

Dy javë të shkuara, ky tip ishte në Imshtë pa policinë, por me kriminelë që bënin çmos tu dukeshin armët; kanë kërcënuar banorët dhe ju kanë përmendur jetën e fëmijëve. A ka turp më të madh se Policia e Shtetit sot në mbrojtje të një grabitjeje ditën për diell kur ligji është shumë i qartë?! Është e përsëritur kjo!

Një vit e gjysmë më parë, me mbështetje të një politikani, i njëjti tip kishte përsëri policinë me vete deri ditën që politikani ra nga karrigia! Nga ajo ditë, kjo përpjekje u shua dhe prokuroria po heton. Nuk di cili është politkani që po i del për zot këtë herë, por dua të theksoj me forcë: sipas ligjit, kjo është tokë e shtetit, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme; Gjithccka që po ndodh është grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë!”

Të Ngjashme