Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ndihma si armë? Akuza për axhenda të fshehura në përpjekjet e ndihmës për Gazën

Duke folur nga Qyteti i Gazës, Bassam Zaqout, drejtor i Shoqatës Palestineze të Ndihmës Mjekësore, shprehu shqetësim të thellë për mekanizmin aktual të shpërndarjes së ndihmës humanitare në territorin e rrethuar.

Ai tha se mekanizmi i ri ka zëvendësuar rreth 400 pika shpërndarjeje ndihmash me vetëm katër të tilla.

“Mendoj se ka axhenda të fshehura pas këtij mekanizmi,” tha Zaqout për Al Jazeera. “Ky sistem nuk i përmbush nevojat e njerëzve, veçanërisht të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.”

Ai shtoi se aktualisht vetëm rreth 1 përqind e pikave të mëparshme të shpërndarjes së ndihmave janë funksionale, ndërkohë që agjencitë e OKB-së dhe organizatat ndërkombëtare humanitare janë të gatshme të operojnë plot 400 pika për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmës. “Ndërkohë, 100 përqind e popullsisë është e uritur,” theksoi Zaqout.

Afeef Nessouli, një vullnetar me organizatën mjekësore ndërkombëtare Glia International, ngriti gjithashtu akuza të rënda kundër Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), i cili është mbështetur nga SHBA-të dhe ka nisur së fundmi shpërndarjen e ndihmave në enklavë.

Duke folur nga al-Qarara, një qytet pranë Rafahut në jug të Gazës, Nessouli tha: “GHF nuk ka arritur asnjëherë të realizojë një shpërndarje efektive të ndihmave që nga lejimi i kufizuar i ndihmës nga Izraeli. Në fakt, duket se ushqimi është shndërruar në një armë kundër njerëzve të uritur.”

“Ka qenë një mëngjes shumë i zhurmshëm në al-Qarara,” tha ai. “Këto pika shpërndarjeje janë të çorganizuara dhe, për të qenë i sinqertë, duken sikur kanë qëllime të këqija.”

Ai përfundoi duke theksuar: “GHF nuk ka pasur sukses deri tani. Madje duket se po i vë në shënjestër palestinezët pikërisht kur ata janë më të dëshpëruarit, duke kërkuar ndihmë për mbijetesë.”

Izraeli ka qëlluar palestinezët nëpër pikat e hapura të GHF-së që nga dita e parë.

Mëngjesi i së dielës ishte më i përgjakshmi deri më tani ku të paktën 40 persona që po prisnin për t’u furnizuar me ushqim, u vranë nga zjarri izraelit në një vendndodhje të GHF-së në Rafah.

Popullsia palestineze po përballet me një krizë të thellë urie, ku tashmë 1 milionë prej tyre janë të rrezikuar nga vdekja prëj urisë.