Lajme

“Ndikimi i Isa Mustafës ende është i madh”, Maraj për Abdixhikun: Rruga e tij ishte pa krye

Të enjten pritet të mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një proces i cili vjen në një periudhë të rëndësishme për këtë subjekt politik.

Në prag të këtij kuvendi, veprimtari politik, Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kriza në LDK është rezultat i zhvillimeve shumëvjeçare.

Ai ka bërë thirrje që në krye të partisë të vijë një figurë me integritet, vizion dhe frymë të trashëgimisë politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Erdhi në një formë kontrabande dhe e dëmtoi këtë subjekt politik, që gëzonte reputacion dhe besim jo vetëm brenda në Kosovë, por edhe në opinionin ndërkombëtar, e në veçanti në SHBA, Angli, në tërë BE-në etj. Ishte kjo largpamësia e Presidentit dhe e kësaj partie që e nxori Kosovën nga një pellg shekullor i robërisë dhe e bëri partner demokratik, që as optimistët më të mëdhenj shqiptarë dhe as pesimistët më të mëdhenj antishqiptarë nuk e prisnin.

Nga ky besim erdhi një grup komunistësh që jo vetëm e ngritën këtë parti, por i larguan figurat më kontribuuese në këtë parti dhe në Kosovë, madje edhe dhunshëm. Pas ardhjes së këtij komunisti, LDK pësoi një infektim të rëndë komunist. Këtë infektim po e lëngon tani. Metastazat pro Isa Mustafës dhe kundër tij janë përplasje të dëmshme jo vetëm për këtë subjekt politik, por edhe për Kosovën në përgjithësi. Nga ky rreth i pakuptueshëm rrjedhin humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së, si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe në ato qendrore”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Maraj ka potencuar se përplasjet mes grupeve pro dhe kundër Isa Mustafës nuk po ofrojnë zgjidhje për krizën në LDK, duke i cilësuar të motivuara nga inatet dhe interesat e ngushta.

“Grupet që po identifikohen si pro e kundër Isa Mustafës dhe politikës së tij antikombëtare janë njësoj; asnjëra nuk ka ofruar ndonjë opsion të qartë për të dalë nga kjo situatë, sa e turpshme aq edhe e dhimbshme, për LDK-në si parti shtetformuese e Kosovës dhe rehabilituese e politikës kombëtare të Kosovës, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.

Që të gjithë flasin e thonë se e duan LDK-në, por forma se si e duan nuk përshtatet as për pjesën tjetër të kryesisë, e lëre më të përshtatet për elektoratin e gjerë, ngase priren nga inatet dhe interesat e ulëta. Deklaratat që tani dalin nga secila palë nuk tregojnë se ka diçka për të zgjedhur.

Të jesh anëtar i një subjekti politik do të thotë të jesh patriot, që jep çdo gjë nga vetja për shtetin përmes subjektit tënd politik”, ka theksuar ai.

Tutje, Maraj ka cekur se Kuvendi i LDK-së është i vonuar, ndikimi i Mustafës mbetet i madh dhe shpreson që ai të sjellë alternativa të reja për partinë.

“Kuvendi i thirrur është mjaft i vonuar, por më në fund është mirë që po mbahet. Për këtë kanë faj të gjitha fraksionet ekstreme të krijuara fare pa nevojë në LDK. Rruga e re e Dr. Lumir Abdixhikut nuk dha rezultate pozitive, ngase ishte një rrugë pa krye, në një filozofi politike me vizion së paku për një shekull.

Ndikimi negativ i Isa Mustafës në këtë parti është ende mjaft i madh. Ndoshta do të ketë ndikim edhe në këtë kuvend. Brezi i ri ende nuk ka gatishmëri të mjaftueshme politike që do të kishte reputacion në elektorat. Kjo është pasojë e zgjedhjeve në parti, duke filluar nga baza. Rinia në LDK, deri tani, duket mjaft e hamendshme dhe jo e gatshme për të marrë përsipër obligimet e nevojshme.

Sido që të jetë, ky kuvend është më mirë që po mbahet sesa të mos mbahej edhe më tutje. Në kuvend mund të dalin opsione të reja të favorshme për vendin, në këtë situatë mjaft të komplikuar, e cila nuk jep shumë shpresë për dalje nga kjo situatë e dëmshme jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Maraj vlerësuar se kushdo që zgjidhet në krye të LDK-së duhet të ketë legjitimitet demokratik, vizion, integritet dhe të ndjekë frymën e Ibrahim Rugovës për të rikthyer besimin në parti dhe te qytetarët.

“Si do qoftë, nëse do të mbetet përsëri Lumir Abdixhiku, ose do të vijë një tjetër pretendues, nëse bëhen zgjedhje demokratike e jo me aklamacion, do ta ketë fuqinë e votës për ta udhëhequr LDK-në dhe, pastaj, për të dhënë kontributin e saj në formimin e institucioneve të Kosovës.

LDK ka kuadro të mjaftueshme intelektuale për të qenë udhëheqës, por në emër të ruajtjes së unitetit të partisë hezitojnë të përplasen në debate ose janë viktimë e interesave të ulëta. Ai ose ajo që do të zgjidhet kryetar i LDK-së do të duhej të ishte një nxënës i aftë i Dr. Ibrahim Rugovës, që nuk ngatërrohet në interesa personale apo grupore, që ka vizion, aftësi komunikimi, guxim, maturi në fjalë dhe veprime dhe do të krijojë besim si në vend, ashtu edhe te ndërkombëtarët. Që nuk ka njolla në biografinë e tij. Që ndihet i lumtur në mesin e qytetarëve të tij të lumtur. Që kombin e vet e sheh të integruar në BE dhe në botë si një popull që ka ardhmëri të sigurt dhe ndikon në krijimin e paqes pa humbje në territore dhe popullatë. Që respekton të gjithë dhe mbron vlerat e veta kombëtare”, ka përfunduar Maraj për “Bota sot”.

Të Ngjashme