Politologu Adnan Qaka, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës dhe marrëveshjen politike që i parapriu këtij procesi, përfshirë miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai ka kritikuar partitë politike për menaxhimin e krizës institucionale, ka ngritur shqetësime për pasojat juridike dhe ndërkombëtare të ndryshimeve ligjore, si dhe ka vlerësuar se LDK-ja ka humbur politikisht, ndërsa PDK-ja ka përfituar nga marrëveshja.
Qaka ka folur edhe për reagimet e Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, protestat kundër Gjykatës Speciale, sfidat që e presin presidenten e re dhe nevojën për reforma në partitë politike.
Duke komentuar marrëveshjen që mundësoi zgjedhjen e presidentes, Qaka e ka cilësuar atë si pazar politik, të arritur në fund të afatit kushtetues.
“Pas një ngërçi politik-idiotik të subjekteve politike-banditeske të Kosovës, më në fund, më 6 tetor, në momentin e fundit dhe ‘me kohë shtesë të afatit kushtetues’ (si në ndeshjet e futbollit), u zgjidh problemi i atij ngërçi, me një pazar politik të kushtëzuar, për të votuar më parë për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi Dhomat e Gjykatës Speciale e më pastaj, në vazhdim të seancës, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe evituar krizën e mëtejshme politike, e cila zgjati dy vjet. Meqë afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit po kalonte në orën 24 të datës 6 tetor, pas arritjes së pëlqimit midis Albin Kurtit e Bedri Hamzës, për kandidaten Justina Shiroka-Pula për Presidente, ‘me shpejtësinë e inteligjencës artificiale’ u kryen procedurat formale dhe u miratua ligji i propozuar nga PDK-ja dhe u zgjodh Presidentja e Republikës”, thotë Qaka për “Bota sot”.

Politologu Adnan Qaka
Ai ka përshkruar edhe reagimet pas përfundimit të procesit në Kuvend, duke shprehur kritika ndaj protestave të zhvilluara gjatë kësaj periudhe.
“Pas këtyre vendimeve mbretëroi një entuziazëm euforik dhe emocional midis deputetëve në sallën e Kuvendit dhe midis protestuesve të mashtruar e të manipuluar politikisht, të cilët mbajtën 21 ditë protesta e zhurma, pa përjashtuar edhe incidente.
Mirë që u zgjodh Presidentja dhe u kompletuan institucionet e shtetit”, thekson politologu.
Qaka ka shprehur shqetësime për efektet juridike të ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar pasoja të mundshme në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
Prandaj, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit, të cilat kanë të bëjnë me të drejtën procedurale (kompetencat) dhe me të drejtën materiale (kriteret dhe lartësia e dënimit), në këtë fazë të funksionimit dhe të procesit gjyqësor të asaj Gjykate, me të cilat i ngushtohet mandati dhe kompetencat lëndore, territoriale dhe kohore, janë kundër parimeve dhe normave juridike. Bile, disa nga ato ndryshime janë edhe kontradiktore midis tyre, për shembull: në një anë bëjnë caktimin e kompetencës lëndore ekskluzive për krimet e supozuara të cekura në raportin e Dick Martit, e në anën tjetër e përkufizon mandatin kohor vetëm për periudhën prej 1 korrik 1999 deri më 31 dhjetor 2000, kur dihet se raporti i Dick Martit nuk ka të bëjë asgjë me atë periudhë kohore.”
Duke folur për kufizimet kohore dhe territoriale të përcaktuara në ndryshimet ligjore, politologu ka vënë në pikëpyetje përputhjen e tyre me mandatin e Gjykatës.
