Meteorologu Hakil Osmani njoftoi se fundjava do të karakterizohet kryesisht nga mot i qëndrueshëm dhe intervale të gjata me diell, me përjashtim të disa momenteve të pakta me reshje shiu që priten gjatë pasdites në pjesën lindore të vendit.
“Dita e diel do të sjellë temperatura minimale në zonat malore rreth -1 deri -2°C, ndërsa maksimumet në këto zona pritet të jenë rreth 12°C.
Në vijën bregdetare, temperaturat do të luhaten nga 8 deri në 13°C në mëngjes dhe 16-17°C në mesditë,” tha Osmani, duke theksuar se moti i qëndrueshëm do të mbizotërojë edhe gjatë javës që vjen.
Për muajin mars, Osmani paralajmëroi një rritje graduale të temperaturave, duke e konsideruar këtë periudhë si një kalim nga dimri drejt pranverës.
“Në mars reshjet janë më se prezente herë pas here, dhe rritja e temperaturave mund të ndikojë edhe në zhvillime të përkohshme të cikloneve që prekin territorin shqiptar. Prania e diellit dhe temperaturat më të larta në vijën bregdetare do të jenë karakteristike për ditët e ardhshme” shtoi meteorologu.
