Analisti Driton Tali ka reaguar ashpër ndaj vendimit për përshtatjen e orarit të shkollave publike me nevojat e Ramazanit, duke e cilësuar atë si shkelje të parimit të shtetit laik dhe të Kushtetutës.
Në reagimin e tij, Tali thekson se në një shtet laik feja nuk ndikon në organizimin institucional dhe se ligji nuk mund të zbatohet sipas preferencave personale. Ai ka kritikuar heshtjen e institucioneve, duke përmendur kryeministrin Albin Kurti, ministrin Hajrulla Çeku, si dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama.
Tali u ka bërë thirrje deputetëve që ose të respektojnë Nenin 8 të Kushtetutës, që e përcakton Kosovën si shtet laik, ose të hapin debat për ndryshim kushtetues. “Të dyja bashkë nuk shkojnë. Mjaft me këtë çirkuz institucional”, ka theksuar ai.
Reagimi i Talit:
Ministër Çeku, fole një fjalë he burrë!!!
Duket sikur disa nga udhëheqësit tanë ose nuk e kuptojnë laicitetin dhe ligjin, ose qëllimshëm i përziejnë konceptet.
Sidoqofte, të nderuar udhëheqës e deputetë, sa për me ju shpjegu sa më thjesht këtë mesele: në laicitet feja nuk ekziston për shtetin!
Çështjet fetare – nevojat, kërkesat, celebrimet – janë jashtë funksionimit institucional – nuk ndikojnë në organizimin e shtetit.
Sekulariteti, ndonëse edhe në këtë sistem religjioni është i ndarë nga shteti, por megjithate ka “mirëkuptime” dhe “akomodime” në mes religjionit dhe shtetit!
Por ligji nuk është çështje disponimi apo preferencash personale. Sidomos jo për juve që i keni hartuar dhe votuar vetë. Nuk mund të zgjedhësh cilin ligj ta respektosh e cilin jo. Në stilin “këtë ligj nuk po e respektoj se nuk po më konvenon; ketë ligj pak po se nuk prish punë; e ligjin tjetër të tërin po, se po më pëlqen”.
Ky sihariqi i fundit i adaptimit të orarit shkollor (publik) me nevojat e ramazanit është sa anti ligjor dhe anti kushtetues aq më shumë e tregon seriozitetin e shtetit.
Jemi njëmend sui generis. Shkelet Kushtetuta (ligji i laicitetit) dhe i gjithë mekanizmi shtetëror hesht. Hesht kryeministri. Hesht ministri i Arsimit. Hesht kryetari i Komunës. Heshtin deputetët. Hesht prokuroria. Hesht gjykata…
E reagojnë mileti: secili sipas botëkuptimit të vet.
Zotni kryeministër Kurti, zotni ministër Çeku dhe zotni kryetar i Komunës Rama, nëse nuk doni shtet laik, e keni kuorumin e mjaftueshëm për me ndërru Kushtetutën.
Ndrrone Nenin 8, nga Shtet Laik në Shtet Sekular, nëse nuk jeni të zot me mbajt, se u bomë horë para dynjes!
Jam i bindur se edhe deputetët e PDK’es ju përkrahin, veç sa deputeti i saj, Eman Rrahmani, ka marrë yrish moti!
Ose të respektohet Neni 8, ose hapne debat për ndryshim. Të dyja bashkë nuk shkojnë.
Mjaft me këtë çirkuz institucional!
PS: të nderuar udhëheqës dhe deputetë Shteti është rregulla dhe rend – një grumbull normash dhe procedurash. Pa to, “shteti” mbetet vetëm një abstraksion, një fjalë me pesë shkronja, pa përmbajtje.
