Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

‘Në Aushvic kudo vinte era e mishit të djegur të njeriut… nuk kishte zogj!’ Rrëfimi i të mbijetuarës që u shua dje

Vaso Stamatiou, ishte e mbijetuara e fundit greke e ferrit të Aushvicit. Dje ajo u nda nga jeta dhe u përcoll në banesën e fundit në Stylida. Ajo ishte një shembull i guximit dhe shpirtit luftarak të pashembullt.

Para se të ikte nga kjo botë, kishte bërë një rrëfim rrënqethës për mediat duke treguar detaje të atyre që përjetoi për shumë kohë të pambarimtë në kampin e frikës, Aushvic.

“Nuk kishte natyrë atje, qielli ishte gjithmonë gri nga tymi dhe kudo kishte një erë të fortë të mishit të djegur të njeriut. Imagjinoni nuk kishte zogj në Aushvic…”

Vasiliki Stamatiou, në moshën nëntëmbëdhjetë vjeç u dërgua në kampin nazist të përqendrimit Birkenau, i cili i përkiste kompleksit të kampit të përqendrimit Aushvic, raporton noa.al duke cituar revistën greke In.

Atje ajo jetoi torturat mizore dhe kushtet e mjerueshme të jetesës dhe i rrëfeu 78 vjet pas lirimit, te studentët e departamentit të teknologjisë dixhitale të Konservatorit gjerman.

“Ishte një nga kampet më të këqija në Aushvic. Na nxirrnin nga kampi dhe na vinin të gërmonim nga ora 6 e mëngjesit deri vonë pasdite me një pushim gjysmë ore.

Por kjo nuk ishte punë, ishte tmerr, nëse veç pak përkuleshe dhe e drejtoje trupin dhe ata suleshin e të godisnin me kamxhik.

Nuk do të besonit, por, nëse rojet nuk na shihnin, ishin qentë e tyre që na suleshin. E tmerrshme, ata kishin trajnuar qentë e tyre që të shikonin kush nuk punonte qoftë dhe për pak”.

Puna ishte e detyrueshme për të gjithë të burgosurit dhe fjalët e Vaso Stamatiou nxjerrin në pah mizorinë dhe çnjerëzimin e rojeve të kampeve të Aushvicit.

“Të mbijetosh”

Dihet se në kampet e terrorit dhe të shfarosjes mbijetuan vetëm të fortët dhe të shkathëtit, praktikisht, ata që mund të ishin të dobishëm për ti shërbyer volumit të punëve për nazistët. Pak a shumë e njëjta skemë si me skllevërit dikur.

Në mes të kësaj lufte tronditëse për mbijetesë, Vaso Stamatiou vinte në dukje se emocionet njerëzore po zhdukeshin. “Po zhdukeshin të gjitha emocionet. Dajaku dhe uria nuk të linin vend për të menduar për asgjë tjetër. Mendimi i vetëm i të gjithëve ne ishte se si do të mbijetojmë”.

Plagët në trupin dhe shpirtin e Vasos Stamatiou mbetën të pashlyeshme deri në fund të jetës së saj.

“Gjithçka që kishim ishte një trekëndësh në dorë. Ne që ishim të burgosur politikë kishim një të kuqe dhe hebrenjtë një të verdhë”. Brenda të kuqes ishte “G” (Greece). Ky ishte i vetmi ndryshim. Ndërsa ushqimi, puna, vdekjet dhe torturat ishin njësoj” shtoi ajo me dhimbjen e pikturuar në sy.