Në Dukagjin po vazhdon restaurimi i kullave të cilat janë trashëguar nga familje të ndryshme. Procesi, sipas tyre, ka shkuar mirë, dhe janë shprehur mirënjohës ndaj Ministrisë së Kulturës për këtë mbështetje. Trashëguesit e këtyre kullave thonë se ato janë të hapura për vizitorë.
Pas përfundimit të punimeve në restaurimin e kullës së familjes Geci në Pozhar të Deçanit, trashëgimtarët e saj, shprehen mirënjohës ndaj Ministrisë së Kulturës, që vazhdon të përkujdeset për këto asetet të rëndësishme të trashëgimisë, dhe identitetit kulturor, duke i vendosur në shërbim të shoqërisë dhe brezave të ardhshëm.
Së fundmi, kulla e Musë Bajramit, siç njihet në Dukagjin, pas shkatërrimeve të shumta nëpër kohë, nga pushtues të ndryshëm, radhitet në listën e punimeve të përmbyllura me sukses.
“Kjo kullë ka qenë fillimisht e Musë Bajramit, ndërsa ne jemi brezi i tretë që e kemi trashëguar edhe e falënderojmë ministrinë e kulturës që na ka mundësuar me e rregulluar edhe kjo jetë si trashëgimi për brezat e ardhshëm jo vetëm për ne. Siç po shihet e kanë kryer me sukses, mund ta shohim edhe brenda e kanë krye në kohë rekord”, tha Florim Geci, pronar i kullës.
Punimet në kullat të cilat po i nënshtrohen procesit restaurues, në Rrafshin e Dukagjinit, edhe më tej vazhdojnë. Zyrtarë komunal për trashëgimi në Decan, thonë se këto asete trashëgimore janë në funksion të zhvillimit të turizmit në këtë komunë.
“Kjo mund të shfrytëzohet me këto vlera të dikurshme të transformohet, të përshtaten me kohën, të jetë bujtinë, mund të jetë edhe vendtakim i aktiviteteve të ndryshme kulturore të rajonit, të rajonit të Deçanit, Dukagjinit dhe më gjerë në festa të ndryshme tradicionale të shfrytëzohen nga pronarët, njëkohësisht edhe nga shteti, nga zyrtarët në këtë rast por edhe në objektet tjera kulturore edhe në kulla edhe në mullinj por edhe fetare qofshin, edhe fëmijët, brezat e rinj kur i shohin ata vetëdijesohen për një të kaluar edhe krenare”, tha Bekim Vishaj, drejtor i Muzeut etnologjik në Deçan.
Ndryshe, sipas zyrtarëve të Ministrisë, kullat të cilat po i nënshtrohen procesit restaurues janë të familjeve të Brashor Pren Gegajt, në Gurakoc të Istogut, ajo e Osdautajve në Isniq dhe kulla e Azem Ramë Lokajt në Voksh.

