Lajme

Në kohë krizash globale, Racaj zbulon kërcënimet ndaj Kosovës

Të shtunën, me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë për të shqyrtuar zhvillimet pas operacionit “Epic Fury” të SHBA-ve dhe forcave partnere kundër Iranit.

 Kosova konfirmoi mbështetjen për veprimet e ndërmarra, duke theksuar rolin e tyre në parandalimin e përshkallëzimit dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.

 Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të marrin informacion vetëm nga burime zyrtare dhe të besueshme.

“Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon.                            

Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.

Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjik.

I bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë, tensioneve apo përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global”, thuhet në njoftim.

Lidhur me këtë, Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës si një veprim të përgjegjshëm dhe strategjik, duke theksuar rëndësinë e reagimit institucional pas operacionit ushtarak “Epic Fury” nga SHBA dhe partnerët e saj kundër objektivave iraniane.

Image
Gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj

Ai ka nënvizuar se çdo përshkallëzim SHBA-Iran ka implikime globale dhe rajonale, dhe se Kosova, si pjesë e arkitekturës perëndimore të sigurisë, vepron në përputhje me aspiratat e saj euroatlantike.

 “E vlerësoj mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës si një veprim të përgjegjshëm institucional dhe strategjik, në përputhje me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme pas operacionit ushtarak “Epic Fury” të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e saj kundër objektivave iraniane.

Së pari, duhet theksuar se çdo përshkallëzim ushtarak ndërmjet SHBA-së dhe Iranit ka implikime globale dhe rajonale, për shkak të rolit që Irani luan përmes rrjeteve të tij të aktorëve jo-shtetërorë në Lindjen e Mesme, si dhe për shkak të pranisë ushtarake amerikane në rajon. Në këtë kontekst, reagimi i institucioneve të Kosovës është i natyrshëm, sepse Kosova është pjesë e arkitekturës perëndimore të sigurisë dhe aspiron integrim të plotë euroatlantik”, ka thënë ai.

Po ashtu, Racaj ka theksuar se lidhja e Kosovës me SHBA-në është strategjike dhe historike, jo episodike apo taktike.

Ai ka cilësuar mbështetjen e Kosovës ndaj politikave të sigurisë së Uashingtonit si pjesë të orientimit pro-perëndimor dhe të sigurisë së ndërlidhur me praninë amerikane.

“Rreshtimi i Kosovës pranë SHBA-së nuk është as episodik dhe as taktik; ai është strategjik dhe historik. Mbështetja e hapur ndaj politikave të sigurisë së Uashingtonit përputhet me orientimin e qartë pro-perëndimor të Republikës së Kosovës dhe me faktin se siguria e saj është e ndërlidhur ngushtë me praninë dhe garancitë amerikane në rajon. Në këtë aspekt, qëndrimi i koordinuar me Shqipërinë e forcon më tej boshtin shqiptar në raport me partneritetin transatlantik dhe dërgon një sinjal të qartë për stabilitet dhe besueshmëri strategjike”, ka theksuar ai.

Më tei, Racaj ka konsideruar se në kohë krizash ndërkombëtare, hapësira informative shpesh kthehet në fushë beteje, ku përhapen dezinformatat dhe propagandat, shpesh të orkestruara nga aktorë shtetërorë apo rrjete të lidhura me ta.

“Sa i përket thirrjes që qytetarët të informohen vetëm nga burime zyrtare dhe kredibile, e konsideroj tejet të drejtë dhe të domosdoshme. Në kohë krizash ndërkombëtare, sidomos kur përfshihen aktorë të mëdhenj shtetërorë dhe operacione ushtarake me dimension global, hapësira informative bëhet fushë beteje më vete. Përvoja ndërkombëtare ka treguar se në situata të tilla rritet ndjeshëm përhapja e dezinformatave, propagandës dhe operacioneve të ndikimit, shpesh të orkestruara nga aktorë shtetërorë apo rrjete të lidhura me ta”, ka nënvizuar ai.

Tutje, Racaj ka potencuar se Kosova, për shkak të pozicionit gjeopolitik dhe ekspozimit ndaj fushatave hibride, nuk është e imunizuar ndaj lajmeve të rreme që mund të shkaktojnë panik, polarizim apo dobësim të besimit në institucionet shtetërore dhe partneritetin me SHBA-në.

 “Kosova, për shkak të pozitës së saj gjeopolitike dhe ekspozimit ndaj fushatave hibride në të kaluarën, nuk është imune ndaj këtyre rreziqeve. Përhapja e lajmeve të rreme mund të synojë krijimin e panikut, polarizimin e brendshëm politik apo dëmtimin e besimit në institucionet shtetërore dhe në partneritetin me SHBA-në. Prandaj, komunikimi i unifikuar institucional dhe referimi në burime zyrtare është pjesë e sigurisë kombëtare, jo thjesht çështje informimi publik.

Në përfundim, mbledhja e Këshillit të Sigurisë dëshmon maturi shtetërore. Rreshtimi i Kosovës pranë SHBA-së është vazhdimësi e një orientimi strategjik të pandryshuar, ndërsa thirrja për qetësi dhe informim korrekt është element thelbësor për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm në kohë pasigurish globale”, ka përfunduar Racaj.

Të Ngjashme