Kosova ka shënuar progres të dukshëm në uljen e vdekshmërisë së fëmijëve, sipas raportit të fundit të publikuar nga Grupi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara për Vlerësimin e Vdekshmërisë së Fëmijëve (UN IGME).
Dokumenti thotë se që nga viti 2015, shkalla e vdekshmërisë neonatale në Kosovë është ulur me 36 për qind – nga 10.3 në 6.6 vdekje për 1,000 lindje të gjalla.
Po ashtu, edhe vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç ka rënë me 39 për qind – nga 14.3 në 8.7 për 1,000 lindje të gjalla në vitin 2024.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky progres është rezultat i përkushtimit të profesionistëve shëndetësorë dhe politikave të qëndrueshme të ndërmarra në sektorin e shëndetësisë ku përfshihen, siç shtohet, “investimet e vazhdueshme në kujdesin parësor shëndetësor dhe zgjerimit të qasjes në shërbime cilësore për nënat dhe fëmijët”.
Një ndër faktorët kyç të këtij suksesi, siç thuhet në një përmbledhje që iu shpërnda medieve nga zyra e UNICEF në Kosovë, është Programi i Vizitave në Shtëpi, i cili është shtrirë në të gjitha komunat e vendit dhe ofron mbështetje për gratë shtatzëna, të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël, veçanërisht për grupet më të cenueshme.
“Ky programi ofron çasje të targetuar për gratë shtatzëna, të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël, veçanërisht për grupet më të cenueshme. Në qendër të këtij suksesi janë infermierët në nivel komunal, roli i të cilave është thelbësor në arritjen e fëmijëve dhe familjeve në zonat më të largëta dhe rurale”, thuhet në këtë përmbledhje. “Duke ofruar mbështetje në shtëpi, programi forcon shëndetin e nënës dhe fëmijës, mbështet kujdesin neonatal dhe promovon zhvillimin e hershëm të fëmijës”.
Këto veprime të koordinuara, sipas raportit, kanë luajtur një rol kritik në përmirësimin e rezultateve të mbijetesës së fëmijëve.
“Fëmijët janë në zemër të çdo shoqërie. Shëndeti, siguria dhe mirëqenia e tyre formësojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Të udhëhequr nga ky parim, Luksemburgu ka mbështetur me krenari iniciativa si Programi i Vizitave në Shtëpi, trajnimet për Udhëzuesin për Monitorimin e Zhvillimit të Fëmijës (GMCD) dhe Kujdesin në Grup për Prindërim,” tha Eric Dietz, Shef i Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë, njofton zyra e UNICEF, përcjellë KosovaPress.
Megjithatë, raporti thekson se në nivel global mbetet ende sfidë e madhe parandalimi i vdekjeve të fëmijëve, duke nënvizuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme dhe politika të bazuara në evidencë
