Lajme

​Në krah të SHBA-së kundër Iranit, sa e sigurt është Kosova?

Shumë shpejt pasi bombat e para ranë mbi Iran – duke ndezur një konflikt që brenda orësh mori përmasa rajonale – autoritetet e Kosovës nxituan të dilnin në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dënuan regjimin iranian dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për aleancën perëndimore.

Shumë shpejt pasi bombat e para ranë mbi Iran – duke ndezur një konflikt që brenda orësh mori përmasa rajonale – autoritetet e Kosovës nxituan të dilnin në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dënuan regjimin iranian dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për aleancën perëndimore.

Presidentja Vjosa Osmani tha se, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump, koha e lirisë për popullin e Iranit po vjen.

Në një reagim në X, ajo shtoi se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian, ndërsa dënoi fuqishëm sulmet e këtij të fundit kundër aleatëve në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet e përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor të këtij vendi. Në kundërpërgjigje, Irani dhe mbështetësit e tij po godasin objektiva në vendet aleate të SHBA-së – nga Arabia Saudite deri në Qipro – pavarësisht paralajmërimeve të Trumpit kundër hakmarrjes, shkruan REL. 

“Më mirë mos ta bëjnë këtë, sepse, nëse e bëjnë, do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë më parë”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.

Disa orë pas nisjes së sulmeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar situatën, dhe tha se Kosova po monitoron nga afër implikimet e mundshme për vendin dhe rajonin.

Qeveria e tij nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë mbi implikimet e mundshme apo masat konkrete që mund të merren. Po ashtu, as Presidenca, as Ministria e Punëve të Brendshme, as Policia e Kosovës dhe as Departamenti amerikan i Shtetit nuk dhanë asnjë koment.

Kosova strehon kampin Bondsteel – bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan – dhe rreth 600 ushtarë amerikanë, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten herë pas here, sipas zhvillimeve të situatës, në mënyrë që misioni të mbetet i efektshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk po shqyrtohen ndryshime të rëndësishme”, tha zyrtari i NATO-s.

Irani dhe mbështetësit e tij sulmuan disa baza dhe misione të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme. Një bazë britanike në Qipro ishte gjithashtu shënjestër e sulmeve me dronë. Autoritetet qipriote thanë se, sipas vlerësimeve fillestare, dronët u lëshuan nga Hezbollahu – grup militant i mbështetur nga Irani – nga territori i Libanit.

Incidenti nxiti reagim të menjëhershëm evropian: disa shtete dërguan avionë luftarakë dhe fregata në Qipro, për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe detare të ishullit mesdhetar, mes frikës për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Të Ngjashme