Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në portofolin e sulmuesit nga Sidney u gjet një kartë identiteti e klubit serb të gjuetisë, ai ishte anëtar

Në portofolin e sulmuesit nga Sidnei u gjet një kartë identiteti e klubit serb të gjuetisë, ai ishte anëtar

Në portofolin e të dyshuarit për sulmin terrorist që ndodhi gjatë festimit të Hanukës në plazhin Bondi në Sidnei, autoritetet gjetën një kartë anëtarësie të klubit serb të gjuetisë “Zastava Hunting Association”, që vepron në shtetin australian të Uellsit të Ri Jugor.

Presidenti i këtij klubi, Vanja Kuzhet, konfirmoi për mediat se Navid Akram (24), një nga autorët e sulmit, kishte qenë anëtar i shoqatës.

“Shoqata jonë nuk lëshon leje për armë. Ato jepen ekskluzivisht nga policia australiane. Ne organizojmë vetëm trajnime për sigurinë në gjueti, në përputhje me ligjet e Uellsit të Ri Jugor”, deklaroi Kuzhet.

Sulmi i rëndë ndodhi gjatë një tubimi publik në plazhin Bondi, ku Navid Akram dhe babai i tij, Sadzhid Akram (50), hapën zjarr ndaj qytetarëve. Si pasojë, të paktën 16 persona u vranë dhe 42 të tjerë u plagosën. Autoritetet australiane e kanë cilësuar ngjarjen si akt terrorist.

Sipas mediave, në vendin e ngjarjes u gjet edhe patenta e Navid Akranit, nën të cilën ndodhej karta e anëtarësisë së klubit “Zastava”, një shoqatë që mbledh pjesëtarë të komunitetit serb në Sidnei.

Presidenti i klubit shtoi se pas sulmit janë kontaktuar nga policia federale australiane dhe se shoqata e tyre dënon ashpër çdo formë dhune.

“Ky person kishte ndjekur tek ne vetëm trajnim bazë për sigurinë në gjueti. Ne nuk mbështesim dhe nuk lidhemi në asnjë mënyrë me krime të tilla. Ajo që ndodhi është e tmerrshme”, tha Kuzhet.

Sipas ekspertëve të armëve që kanë analizuar pamjet nga vendi i sulmit, autorët duket se kishin trajnim. Më i riu dyshohet se përdori një pushkë sportive të markës Ruger me shënjestër optike me pikë të kuqe, ndërsa babai i tij ishte i armatosur me një pushkë gjysmëautomatike gjahu. Një armë e tretë është përdorur gjithashtu, por ende nuk është identifikuar.

Klubi i gjuetisë “Zastava” ndodhet rreth 50 kilometra larg vendit të sulmit dhe, përveç aktiviteteve sportive, shërben edhe si pikë grumbullimi për komunitetin serb në atë zonë të Australisë. /Klix